Avokatët e vendit do braktisin çdo seancë gjyqësore duke nisur nga dita e nesërme. Greva e tyre vjen pas miratimit të hartës së re gjyqësore.
Njoftimi është dhënë nga kreu i Dhomës së Avokatëve, avokati Maks Haxhia i cili tha se harta e re rrit kostot e shpenzimet pët gjyqet. Ai tha se diskutimet e deritanishme kanë qenë farsë propagandistike.
Sipas tij të gjitha proceset, duke përfshirë edhe ato në Gjykatën e Lartë do braktisen nga avokatët deri të premten. Haxhia tha se harta e re cenon rëndë interesat e personave dhe rrit kostot.
Ai i bëri thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të marrë parasysh kërkesat e Dhomës së Avokatëve. Po kështu Haxhia paralajmëroi për masa ndaj atyre që nuk i binden bojkotit.
“Kundërshtojmë projektdraftin për hartën. Dje u mor vendimi për miratimin e hartës për një ndryshim, ku u tha se Gjykata e Sarandës nuk do shkrihet dhe çështjet e Krujës nuk do gjykohen në Durrës por në Tiranë. Ne vlerësuam këtë situatë dhe u konstatua se nuk është bërë asnjë ndryshim. Në këto kushte duke u ndjerë të fyer, për shkak se këto tavolina kanë qenë farsë propagandistike, për të thënë se është marrë vendimi, në këto kushte vendosëm që të bojkotojmë të gjitha proceset gjyqësore, duke përfshirë dhe Gjykatën e Lartë. Procesi nis nesër deri të premten.
Kjo hartë cënon rëndë interesat e personave por dhe rrit kostot. Duke ardhur në gjykatë të Apelit të Tiranës. Do të marr kopjen e vendimit në fjalë dhe do ti bëj kërkesë gjykatës për të caktuar një seancë tjetër. Masat e sigurisë është një pjesë e vendimit që nuk do bojkotohen. Shpresojmë që kjo grevë të jetë kambanë për Ministrinë e Drejtësisë që të merren parasysh kërkesat tona të cilat janë interesa të personave juridikë. Nëse nuk merren masa, e kemi lënë të hapur që të mblidhet Komiteti Drejtuese. Të gjithë janë dakord dhe nëse do ketë njeri që nuk do respektojë vendimin do procedohet.” – tha Haxhia.