Vendosni fjalën kyçe....

Organizata Politike njofton protestë kundër rritjes së çmimeve: S’mban më ujë pilafi, Bordet janë kthyer në kartele


Duket se pas disa muajsh qetësi, rikthehen protestat në Sheshin Skënderbej në Tiranë.

Organizata Politike ka paralajmëruar organizimin e një proteste të mërkurën në orën 18:00 kundër rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe të karburanteve.

“S’MBAN MË UJË PILAFI

Rritja e çmimeve s’ka të ndalur. Nafta ka arritur 258 lekë/litër, ndërsa vazhdojnë të rriten çmimet e ushqimeve dhe çdo produkti të domosdoshëm. Shumica dërrmuese e qytetarëve gdhihen çdo ditë e më të varfër, më të grabitur e të nëpërkëmbur.”– thuhet në njoftim.

Sipas Organizatës Politike, ndërkohë që pjesa më e madhe e shoqërisë nuk përfiton asnjë masë lehtësuese, bordet qeveritare “janë shndërruar në kartele” ku përligjet rritja skandaloze e çmimeve.

NJOFTIMI I PLOTË:

S’MBAN MË UJË PILAFI

Rritja e çmimeve s’ka të ndalur. Nafta ka arritur 258 lekë/litër, ndërsa vazhdojnë të rriten çmimet e ushqimeve dhe çdo produkti të domosdoshëm. Shumica dërrmuese e qytetarëve gdhihen çdo ditë e më të varfër, më të grabitur e të nëpërkëmbur.

Qeveria po dëshmon dita-ditës jo vetëm kapjen nga oligarkët, por edhe inkompetencë kriminale në administrimin e krizës. Oligarkët përfitojnë miliona euro subvencione, kurse më të varfrit marrin thërrime të cilave po u skadon afati.

Ndërkohë që pjesa më e madhe e shoqërisë nuk përfiton asnjë masë lehtësuese, bordet qeveritare janë shndërruar në kartele ku përligjet rritja skandaloze e çmimeve.

Në këto kushte, të durosh është luks që s’mund t’ia lejojmë vetes. Askush nuk mund t’i varë shpresat te një qeveri hajdute, e kompromentuar dhe e paaftë.

Populli duhet të marrë në dorë fatet e veta.

Të mërkurën, ora 18:00, nga Sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë.

Të gjithë në protestë!