Paga reale në sektorin shtetëror (e indeksuar me inflacionin) shënoi rritje me 4.4% vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Kjo ishte rritja më e lartë që nga viti 2017 ku rritja e pagës reale në sektorin publik ishte 7.8%.
Sipas të dhënave të INSTAT të gjeneruara në grafikun bashkëngjitur, ritmet më të larta të rritjes së pagave në sektorin publik përkojnë më vitet zgjedhore. Në vitin 2017 kishte zgjedhje të përgjithshme ndaj paga në sektorin publik u rrit me ritmet më të larta që nga 2010. Gjithashtu, të dhënat zyrtare tregojnë se ritmet e rritjes së pagave në sektorin shtetëror vitin e kaluar, kur u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme parlamentare ishin më të lartat e pesë viteve të fundit.
Gjithsesi, qeveria është treguar e moderuar për rritjen e pagave në sektorin publik në këto 10 vitet e fundit, pasi ritmet e rritjes kanë rënë dukshëm në krahasim me dekadën e dytë të tranzicionit 2000-2010.
Pas vitit 2012, ritmet e rritjes së pagave u ulen në mënyrë të ndjeshme, duke shënuar nivelin zero në disa vite. Ashtu si edhe sektori privat, pagat e administratës në Shqipëri ruajnë një diferencë të lartë me nivelet rajonale deri në 30% më të ulëta.
Të dhëna më të detajuara tregojnë se rritjen më të ulët të pagave në sektorin shtetërore e kishin punëtorët e thjeshtë me 5.8 % (e pa-indeksuar me inflacionin). Rritja reale në këtë kategori po të marrin në konsideratë inflacionin e vitit 2021 (2%) është vetëm 3.8%.
Përqindjet më të larta të rritjes shkuan për pagat e larta. Psh ligjvënësit, nëpunësit e lartë dhe drejtuesit panë një rritje nominale të pagës me 11%.
Sakaq numri i të punësuarve në shtet është rritur me shpejtësi vitet e fundit, duke e çuar totalin në 183,576 persona në fund të 2021 nga më pak se 173 mijë që ishin në fund të vitit 2018.
Sipas të dhënave të INSTAT nga burimet administrative (të punësuarit me sigurime) të punësuarit në shtet u rriten me 6.2% nga viti 2018 në fund të vitit 2021, ndërsa të punësuarit në privat u zgjeruan me vetëm 2.4%.
Numri i të punësuarve në shtet nisi të rritej në tremujorin e fundit të vitit 2020 duke i paraprirë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar, ku administrata në tre muaj u zgjerua më mbi 10 mijë persona.
Sektori privat që është edhe punëdhënësi më i madh në ekonomi përgjatë periudhës 2018 -2021 u zgjerua me rreth 12 mijë punonjës shtesë.
Përkundër përpjekjeve për digjitalizimin e shërbimeve publike dhe në dukje përpjekjeve për një qeveri të vogël, shteti si punëdhënës për nga madhësia është kthyer 10 vite pas.
Të dhëna më të detajuara tregojnë edhe për një fryrje të personelit në ndërmarrjet me pronësi shtetërore si ato të energjisë dhe ujësjellësve dhe bashkive.
Përkundrejt një eficience në ulje, administrata publike po fryhet me shpejtësi, duke rënduar pa të drejtë taksapaguesit. / B. Hoxha.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor