Vendosni fjalën kyçe....

Rama i dorëzon “live” kërkesën për anëtarësim Komisionerit të BE-së për menaxhimin e krizave


Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për shtyp me komisionerin e BE-së për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenercic, të cilit i dorëzoi live kërkesën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm.

Rama deklaroi se anëtarësimi është një hap shumë domethënës dhe lehtësim i madh për vendin.

“Janë domethënëse rastet që mund të kujtojmë në lidhje me asistencën që ky mekanizëm i ka dhënë Shqipërisë. Tërmeti është një moment me peshë në këtë mbështetje por edhe çfarë pasoi me pandeminë përsëri ishte mbështetja e këtij unioni të mbrojtjes civile që na i lehtësoi plagët dhe na lehtësoi përballjen me armikun e padukshëm.

Edhe falë ndihmës së komisionerit ne kemi marrë ndihmë nga ky mekanizëm në përballjen me zjarret e rënda të vitit të shkuar ku mjetet e rënda që u përdorën nga shtete si Holanda apo Cekia u përkisnin këtij mekanizmi. Europa këtë mekanizëm e ka ngritur për të përballur së bashku ndikimin e ndryshimit të klimës dhe pasojat e ndryshimit të klimës në mjedisin tonë. Jo vetëm kaq por për të përballur bashkë krizat e rënda. Ky mekanizëm është në krye të përpjekjes për të garantuar mbështetje të madhe për Ukrainën.

Çdo gjë që nuk është armatim i mbulon ky mekanizëm. Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë BE të mbrojtjes civile që funksionon me këtë mekanizëm është një hap domethënës dhe një lehtësim i madh për ne duke pasur parasysh nevojat që kemi. Nuk bëhet fjalë vetëm për të marrë por edhe për të dhënë. Dua të falenderoj komisionerin. E pamë të udhës që dorëzimin e letrës së interesit për anëtarësimin e Shqipërisë në këtë union ta bëjmë edhe publikisht nëpërmjet meje.”– tha Rama.

Lenarcic nga ana tjetër e pranoi kërkesën e Shqipërisë për t’iu bashkuar mekanizmit të unionit për mbrojtjen civile dhe theksoi sa e rëndësishme është që vendi ynë të mbështetet në solidaritetin e shteteve të BE-së në raste fatkeqësish.

“Pas tërmetit të tmerrshëm në Durrës si dhe në zonat rretyh e rrotull. Sot kam ardhur në rrethana më të mira, nuk kemi të bëjmë me ndonjë emergjencë edhe pse ka pasur një zjarr të madh në Sazan. Një gjë kanë këto dy fatkeqësi, tërmeti i 2019-ës dhe zjarret. Në të dyja rastet, me kërkesë të qeverisë shqiptare, ky mekanizëm u aktivizua menjëherë. Një Aeroplan nga Greqia erdhi për të shuar zjarret. Përgjigja jonë dy vite më parë ishte i menjëhershëm.

Mendoj se ajo që mund të mësojmë nga këto dy fatkeqësi por edhe të tjera, e kam fjalën për ato raste kur Shqipëria është përballur me situate emergjente, gjëja e rëndësishme është se Shqipëria ka pasur mundësinë të mbështetet në solidaritetin e vendeve të BE-së dhe vendeve pjesëmarrëse të këtij mekanizmit.

Mekanizmi i BE-sëë për mbrojtjen civile përmban jo vetëm 27 shtete anëtare, por edhe të tjera pjesëmarrëse. Kemi Serbinë, Turqinë, Islandën, Norvegjinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Këtu mungonte Shqipëria dhe ne donim që kjo të ndryshonte. Jam shumë i lumtur që kryeministri vendosi sot që të bëjë kërkesën për tiu bashkuar këtij mekanizmi.

E pranoj këtë kërkesë zyrtare. Unë personalisht e mbështes këtë synim tuajën. Duam që kjo dëshirë të bëhet realitet sa më parë. Shqipëria jo vetëm të ketë mundësinë të mbështetet tek solidariteti i vendeve të tjera, por edhe Shqipëria të shprehë solidaritetin ndaj vendeve të tjera. Ne jemi të vendosur që të vijojmë punën tonë. Do ju dorëzoj nga ana jonë një rrugëtim, një plan me punën që do mund të bëjmë ne për të realizuar objektivat e këtij mekanizmi.” – tha Lenarcic.