Vendosni fjalën kyçe....

Sanksionet kundër Rusisë/ Ambasadori amerikan: Serbia të vendosë se ku do të jetë e ardhmja e saj


Ambasadori amerikan në Serbi Christopher Hill deklaroi se Beogradi duhet të mendohet mirë se ku e sheh të ardhmen e tij.

Hill u tha gazetarëve në Beograd se Serbia duhet të shqyrtojë nëse “ky qëndrim neutral” i Beogradit zyrtar është i qëndrueshëm dhe, siç theksoi ai, “të marrë vendimin e vet”.

Ky koment vjen pasi Serbia është një nga vendet që nuk është bashkuar me vendet europiane nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, qëndrim për të cilin ka marrë shumë kritika.

Ambasadori shtoi se ajo që ndodhi në Ukrainë “është një sulm brutal ndaj atij vendi dhe vazhdimi i vrasjes së civilëve, diçka që është krejtësisht e papranueshme në këtë shekull”.

Ai theksoi se një zhvillim i tillë nuk është parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se bota ka ndryshuar që nga shkurti dhe se ne të gjithë duhet të rimendojmë se ku jemi, cili është pozicioni ynë dhe ku duam të jemi në të ardhmen.”- tha ai sipas medieve serbe.

I pyetur se cili duhet të jetë prioriteti për Serbinë në këtë moment – ​​vendosja e sanksioneve kundër Rusisë apo normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, Hill u përgjigj se këto janë çështje për autoritetet serbe.

“Unë mendoj se kjo është pyetja që duhet t’ua bëni përfaqësuesve të qeverisë suaj, unë përfaqësoj qeverinë amerikane këtu dhe nuk jam këtu për të dhënë këshilla, kështu që ju duhet të gjeni përgjigje për ato pyetje me autoritetet serbe.”– u përgjigj Hill.