Analistët e Goldman Sachs presin që çmimet globale të naftës së papërpunuar të rriten në 140 dollarë për fuçi në fillim të kësaj vere, pasi rënia e prodhimit rus, së bashku me një rikuperim gradual të kërkesës së Kinës, pritet të shtojnë presionin mbi furnizimet tashmë të ulëta.
“Një rritje e madhe e çmimeve mbetet mjaft e mundshme këtë verë, kur kërkesa sezonalisht arrin kulmin e saj.” – shkruajnë analistët e bankës në shënimin, të parë nga The Insider.
Analistët e Goldman presin që çmimet të rriten ‘duke pasur parasysh nivelet e tanishme të ulëta rekord të inventarëve’, duke thënë se Brent do jetë mesatarisht rreth 140 dollarë për fuçi në tremujorin e tretë të 2022 dhe mund të shkojë edhe më lart.
Megjithatë, ekonomistët theksuan se konsumatorët do ndihen sikur nafta ka arritur në 160 dollarë për fuçi. Kjo është për shkak të mungesës së kapaciteteve në rafineri, e cila pritet të bëjë që çmimet e benzinës dhe karburantit të rriten më shumë sesa mendohej më parë, duke shtuar kostot në të gjithë ekonominë.
Çmimet e naftës janë rritur me gati 50% deri më tani këtë vit si rezultat i një rritjeje të kërkesës për energji pas pandemisë dhe sanksioneve të pashembullta perëndimore të vendosura ndaj Rusisë, një prej eksportuesve më të mëdhenj në botë.
Sipas të dhënave nga Shoqata Amerikane e Automobilave jofitimprurëse (AAA), e cila gjurmon çmimet në më shumë se 60,000 pika karburanti në të gjithë SHBA-në, çmimet e benzinës në vend janë ngritur në një nivel rekord prej 4,92 dollarë për gallon.