Me 25 vite burg është dënuar Blendi Teta lidhur me vrasjen e Santiago Malkos.
Teta u gjet fajtor për akuzën se kishte vëzhguar lëvizjet e Malkos para se ai të qëllohej për vdekje brenda mjetit në rrugën ‘Xhanfize Keko’ në Tiranë.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 27 gusht 2019 ndërsa dyshohet se plani u thur në një lokal në zonëne Freskut në Tiranë.
Sipas prokurorisë, Teta ka qenë pjesë e grupit prej tetë personash që planifikoi vrasjen e ish-efektivit të policisë.
Dinamika e ngjarjes
Nga hetimet rezulton se Blendi Teta dhe shtatë persona kanë darkuar së bashku në ambientet sekrete në lokal. Një moment, njëri nga personat u ka thënë: “Çohuni cuna se kemi punë”. Të gjithë mësohet të kenë dalë dhe janë ngjitur në dy automjete: e para tip Volkswagen Golf 5, ngjyrë gri; dhe e dyta, tip Skoda Roomster, që u gjet e fshehur në një parkim pranë drejtorisë së ish-pyjores në rrugën ‘Dalip Topi’.
Në vendin e parë të mjetit tip Skoda është ulur Blendi Teta. Automjeti ka lëvizur nga Fresku të IKV, te Komisariati i Qarkullimit, ka dalë në rrugën Myslym Keta dhe më pas ka marrë drejtimin te Komisariati nr.4. Aty ka mbërritur edhe automjeti tip Volkswagen Golf. Në pak minuta, automjetet kanë ecur në drejtim të kryqëzimit të Alliasit, më pas kanë vazhduar lëvizjen në në rrugën ngjitur me murin e shkollës së Bashkuar në drejtim të Oxhakut. Aty janë kthyer djathtas në rrugën Kongresi i Manastirit në drejtim të SHISH.
Lëvizjet e automjeteve janë fokusuar në pjesën më të madhe nga kamerat e sigurisë së bizneseve të ndryshme. Në dosje thuhej se kur Skoda ndodhej tek spitali nr.5, njëri nga personat në makinë, i ka kërkuar shoferit të ndryshojë drejtimin e lëvizjes, duke i thënë: “kthehu, ka parkuar të kazanët”. Në rrugën ‘Xhanfize Keko’ ata kanë konstatuar automjetin tip BMW X5.
Referuar dëshmisë dhënë para oficerëve, Blendi Teta në këtë moment është larguar, sepse sipas tij ka kuptuar se diçka e keqe do ndodhte. Ai pretendon se ka shkuar në këmbë të spitali i fëmijëve dhe pasi ka blerë një ujë, ka marrë taksi dhe është larguar për në ‘Don Bosko’ te bashkëjetuesja e tij.
15 minuta më vonë, ai ka parë në lajme se ishte bërë një atentat ndaj një makine BMW X5 dhe një person kishte mbetur i vdekur. Në këtë momente ka shfaqur frikë, pasi ka patur dyshime se krimin e kanë kryer personat që ishte shoqëruar atë mbrëmje. Pas kësaj ai ka mbajtur kontakte vetëm me bashkëjetuesen e tij, në shtëpinë e së cilës e ka pritur edhe policia.
Blendi Teta ka mohuar të ishte në dijeni të planit për vrasjen e Santjago Malkos, por pranon se me personat që darkoi pikërisht atë natë ka lidhje shoqërore.