Vendosni fjalën kyçe....

Eni Çobani për lajmin e rremë se ka ndërruar jetë: Lotët e nënës më prekën, do bëhem avokate edhe për VIP-at që i “vdiqën”


Juristja e njohur Eni Çobani ka reaguar përsëri lidhur me lajmet që qarkulluan në disa media online se ajo kishte ndërruar jetë.

Në një telefonatë me emisionin “Wake Up” zonja Çobani u shpreh se ishte prekur shumë nga këto shkrime. Mbi të gjitha pasi pa parë lotët e nënës së saj të moshuar.

“Ka javë që qarkullon ky lajm, sigurisht që mua më kishte ardhur në vesh por nuk kisha hyrë për ta parë duke menduar që ky lajm nuk është i vërtetë. Por dy gjëra më kanë prekur deri në atë njoftim publik që unë bëra, telefonata e një ish-protagonisti të ‘Shihemi në gjyq’, me të cilin nuk isha dëgjuar prej kohësh, quhet Fadil.

Më merr në mëngjes dhe i drejtohem me emrin e dikujt tjetër, dhe më thotë që jam Fadili. Më tha tani jam i qetë që të dëgjova zërin sepse po qarkullon një lajm që nuk jeni më në jetë. Të them të drejtën jam trishtuar. Pas kësaj, prekja e nënës time, unë kam nënë gjallë dhe është në një moshë relativisht të madhe. Lotët në sytë e saj më prekën shumë.”– ka treguar Çobani.

Juristja e njohur e “Shihemi në gjyq” ka deklaruar se nuk e di me siguri se kush janë ata që e kanë shpërndarë këtë lajm, megjithatë ka vendosur ta ndjekë në rrugë ligjore.

Ajo shtoi se ka marrë shumë telefonata nga personazhe VIP, të cilët kanë përjetuar të njëjtën gjë dhe shprehet se është gati t’i përfaqësojë ligjërisht.

“Nuk e di fare se kush janë, do të mbaj fjalën që kam thënë që do të lejoj këtë javë të shikoj veprimin që ata do kryejnë. Dhe ditën e hënë kam vendosur që të paraqitem vetë në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë për të filluar unë vetë, nëse duan mund të më bashkohen edhe shumë të tjerë që më kanë telefonuar, kryesisht njerëz publikë.

Unë jam e mirëpritur t’i përfaqësoj edhe ata sepse kjo gjë duhet të marrë fund. Nuk mund të bëhen të tilla lajme negative dhe që sjellin negativitet.”- tha ajo duke theksuar se liria e medias ka një kufi.