Vendosni fjalën kyçe....

Harta e re gjyqësore paralizon sistemin, avokatët bojkotojnë seancat, shtyhen mbi 600 gjyqe: Cenohen rëndë qytetarët


Mbi 600 gjyqe në vend janë shtyrë pas bojkotit të paralajmëruar dje nga Dhoma e Avokatëve lidhur me hartën e re gjyqësore. Sipas kreut të kësaj dhome, bojkoti do vijojë deri të premten dhe do prekë të gjitha hallkat, duke përfshirë edhe Gykatën e  Lartë.

Përjashtim do bëjnë vetëm masat e sigurisë. Sipas Haxhisë, harta e re gjyqësore cenon rëndë qasjen e qytetarëve në sistemin e drejtësisë si dhe shton kosto e shpenzimet për ta.

Sipas projekligjit të qeverisë, nga 22 gjykata të Shkallës së Parë do mbeten vetëm 13 të tilla ndërkohë nga të gjitha Gjykatat e Apelit mbetet vetëm një e tillë në Tiranë. Sipas qeverisë, shkak për këtë reformë bëhet numri i ulët i gjyqtarëve e prokurorëve të cilët janë shkarkuar nga procesi i vetingut.

Në një deklaratë, një nga anëtarët e Dhomës së Avokatëve ka deklaruar se për një urdhër mbrojtjeje, qytetarët duhet të udhëtojnë nga Tropoja apo ndonjë qytet tjetër drejt Tiranës.

Kreu i Dhomës së Avokatëve Haxhia nga ana e tij tha se pret që qeveria të marrë parasysh kërkesat e parashtruara. Ai theksoi se pavarësisht pretendimeve të Ministrisë së Drejtëisë se drafti është këshilluar me grupet e interesit, kjo gjë ka qenë farsë pasi mendimi i Dhomës së Avokatisë nuk është marrë parasysh.

Përveç shkrirjes së 9 Gjykatave të Shkallës së Parë dhe lënies së vetëm një Gjykate Apeli në Tiranë projekti parashikon edhe shkrirjen e 4 Gjykatave Administrative duke lënë vetëm 2 të tilla, në Tiranë e Lushnjë.

Gjykata të Shkallës së Parë mbeten pas reformës së parashikuar ato të Tropojës, Pukës, Matit, Kurbinit, Kavajës, Krujës, Lushnjës, Pogradecit dhe Përmetit.

Një ditë më parë, ministri i Drejtësisë Manja u bëri thirrje avokatëve të heqin dorë nga bojkoti pasi kërkesat e tyre ishin marrë parasysh, gjë që është hedhur poshtë nga Dhoma e Avokatisë.