Ndryshon udhëzimi “Për përcaktimin e kritereve, procedurës dhe mënyrës së bashkëpunimit dhe mbështetjes së përmbaruesve gjyqësorë privatë nga policia e shtetit”.
Udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Brendshme dhe të Drejtësisë botuar në Fletoren Zyrtare nuk parashikon me dërgimin e kërkesës nga përmbaruesi privat gjyqësor te Policia e Shtetit për bllokimin e makinave.
Udhëzimi i miratuar në vitin 2017 përcaktonte se përmbaruesit privat gjyqësor kishin të drejtë të lëshonin kërkesa për bllokimin fizik të mjeteve motorike në çdo rast kur është regjistruar më parë një sekuestro konservative në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor.
Në udhëzimin e mëparshëm, përcaktohej se kërkesa për bllokimin fizik të mjeteve motorike shoqërohej me njoftimin zyrtar të vendosjes së sekuestros konservative mbi dokumentacionin e mjetit nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor.
Gjithashtu, kërkesa për bllokimin fizik të mjeteve motorike kryhej shkresërisht ose elektronikisht nëpërmjet nënshkrimit elektronik të përmbaruesit gjyqësor privat, i cili ofrohet nga infrastruktura e çelësit publik.
“Lista emërore e përmbaruesve gjyqësorë privatë të cilët do të përdorin nënshkrimin elektronik nëpërmjet çelësit publik, saktësohej çdo fillim muaji nga DHKPGJP-ja dhe dërgohej për njohje te drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Dokumentacioni ose mjeti i sekuestruar nga strukturat e Policisë së Shtetit me kërkesë të përmbaruesit gjyqësor privat, kryhej jo më vonë se 72 orë nga njoftimi i tij për bllokimin e tij nga Policia e Shtetit”, citohej në udhëzimin e mëparshëm.
Sakaq udhëzimi i ri parashikon se nevoja për ndihmë, prezencë dhe mbështetje nga Policia e Shtetit është e domosdoshme, në rastet kur përmbaruesi gjyqësor privat çmon të arsyeshme se veprimet procedurale përmbarimore nuk mund të kryhen pa mbështetjen, ndihmën dhe prezencën e Policisë së Shtetit, pasi ekzekutimi i tyre paraqet rrezik për jetën, shëndetin dhe dinjitetin e përmbaruesit gjyqësor privat, personave të tjerë që do të asistojnë dhe janë të pranishëm gjatë ekzekutimit, kreditorit apo debitorit.
Për prezencën e policisë përmbaruesi duhet të paraqesë kërkesë. Policia e Shtetit përgjigjet jo më vonë se 3 ditë nga marrja e kërkesës për mbështetje, prezencë ose ndihmë ndaj përmbaruesit gjyqësor privat, me përjashtim të rasteve kur kërkesa çmohet se paraqet një urgjencë dhe rrezikshmëri të veçantë për jetën dhe shëndetin e përmbaruesit gjyqësor privat. Në këto raste prezenca, ndihma apo mbështetja duhet të jetë e menjëhershme.
Udhëzimi përcakton se në rastet e pamundësisë funksionale dhe operative të Policisë së Shtetit për shkaqe madhore apo të një rëndësie të veçantë, për të mbështetur, ndihmuar dhe qenë prezent në ditën dhe kohën e kërkuar nga përmbaruesi gjyqësor privat, strukturat e Policisë së Shtetit e njoftojnë atë të paktën 48 orë para datës dhe orës së caktuar për ekzekutim, duke argumentuar arsyen e mosbashkëpunimit.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor