Vendosni fjalën kyçe....

Nebil Çika godet fort Albert Nikollën: Një ithtar i komunizmit po shitet si shërues i plagëve të diktaturës


Ish-kryetari i Shoqatës Anti-komuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë Nebil Çika ka goditur anëtarin e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Albert Nikolla.

Çika shkruan se Albert Nikolla është një ithtar i komunizmit i cili tani po shitet si një shërues i plagëve të Komunizmit.

Ish-drejtuesi i shoqatës thotë se Autoriteti është një institucion qokash që punëson militantë partiakë.

Autoriteti i Informimit mbi Dosjet e ish Sigurimit të Shtetit është një institucion me rëndësi për të shkuarën dhe të ardhmen e vendit dhe jo një vend qokash për të punësuar militantët partiakë. E kemi dëgjuar shpesh kryeministrin ti mburret opozitës dhe opinionit publik se” ishte ai që e krijoi këtë institucion “. Sigurisht që teknikisht u krijua në kohën e Ramës por edhe në të njëjtën kohë u sabotua, qoftë prej ligjit që më shumë mbyll se hap dosje, qoftë edhe nga mungesa e vullnetit politik të militantëve të PS që të emëruar në bordin e tij për të kontrolluar e bllokuar procesin. Për disa vite Autoriteti nuk funksionoi dot mirë, pasi njeri prej anëtarëve dha dorëheqjen dhe nuk u zëvendësua për disa vjet duke bllokuar vendimmarrjen, ndërkohë që një pjesë e bordit vendoste e votonte politikisht si militantë ish- komunistë, duke sabotuar misionin e këtij institucioni gjë që solli reagime të shumta, sidomos nga viktimat e krimeve të komunizmit, të përndjekurit politike antikomunistë”—shkruan Çika.

Në mandatin e dytë të Autoritetit, sipas Çikës u mendua që të zgjidheshin njerëz në mos ish-të përndjekur, ose ata me vullnet për të zbardhur krimet e komunizmit. Por kjo nuk ndodhi dhe një ndër anëtarët, Albert Nikolla betohet publikisht se do japë jetën për partinë.

Çika shpërndan postimin e Nikollës që betohet si një socialist i zjarrtë që do mbrojë ideologjinë e PS-së.

Në zgjedhjet për mandatin e dytë u mendua që gabimet do të rregulloheshin dhe drejtuesit e ri e Autoritetit do të zgjidheshin, në mos të përndjekur politikë, njerëz me vullnetin për të hapur dosjet e zbardhur krimet e komunizmit dhe autorët e tyre dhe jo njerëz që betohen publikisht që janë gati të japin jetën për partinë dhe vlerësojnë të shkuarën komuniste të PS si “tradite e shkëlqyer”

Kjo praktika e politikës shqiptare me zbardhjen dhe dënimin e krimeve të komunizmit ku behën institucione e ligje dhe për zbatimin e tyre çohen militantë politike e njerëz në koflikt interesi që të mos i zbatojnë është po qa kriminale sa edhe vete krimet e komunizmit”-shkruan Çika.

Ai në fund ngre pyetjen se si një militant që konsideron diktaturën “traditë të shkëlqyer” të hapë dosjet e sigurimit të krimeve komuniste.

Pyetja është : Sa mundet një militant kaq i zjarrtë qe e konsideron diktaturën “tradite të shkëlqyer ” të partisë të hap e të publikojë dosjen e Sigurimit të Havzi Nelës dhe vrasësve të tij, apo dosjen e Gramoz Ruçit dhe krimeve të tij. Besoj se të gjithë biem dakord që njerëz sy ky i përzgjedhur i fundit e ish komunisteve të Ramës çohen atje jo me misionin, jo për ti hapur dosjet por për të mbyllur ato dosje të sigurimit që cënojnë partine “traditën e sajë të shkëlqyer” dhe udhëheqjen e ndritur të sajë .

Nuk ka asnjë pritshmëri që bijtë krenar për ta , të zbardhin krimet e etërve komunistë !”-shkruan ish-kryetari i Shoqatës Anti-komuniste.

Albert Nikolla është i njohur për shkrimet e tij serviliste ndaj Edi Ramës dhe Erion Veliajt dhe një person që kërkon asgjësimin e opozitës shqiptare.

Ai u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë një javë më parë si anëtar i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.