Një 21-vjeçar është shpallur në kërkim pasi akuzohe për trafik të paligjshëm emigrantësh.
Policia është vënë në ndjekje të një mjeti tip ‘Benz’ në rrugën Skërficë-Ura e Kardhiqit me të cilin dyshohej se po udhëtonin emigrantë të paligjshëm.
Por drejtuesi i mjetit duke përfituar nga errësira ka mundur të largohet duke e braktisur atë në rrugë.
Më pas policia ka identifikuar drejtuesin e mjetit, 21-vjeçarin me iniciale D.N., banues në Sarandë, i cili është shpallur në kërkim.
Njoftimi
“Vijon operacioni policor “ROAD GUARD”. Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Braktisi automjetin me të cilin transportonte emigrantë të paligjshëm, shpallet në kërkim 21-vjeçari. Sekuestrohet automjeti. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër, në vijim të operacionit policor “ROAD GUARD” për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, kanë goditur një tjetër rast të kësaj veprimtarie kriminale. Në aksin rrugor Skërficë-Ura e Kardhiqit, në afërsi të fshatit Çepunë, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të një automjeti tip “Benz”, në të cilin dyshohej se kishte emigrantë të paligjshëm. Sapo ka vënë re që po ndiqej nga Policia, drejtuesi i mjetit ka braktisur mjetin dhe duke përfituar nga errësira ka mundur të largohet. Si rezultat i veprimeve hetimore u identifikua drejtuesi i mjetit, shtetasi D. N., 21 vjeç, banues në Sarandë, në automjetin e të cilit u gjetën 4 emigrantë të paligjshëm, të cilën ai po i transportonte, kundrejt fitimit. Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim shtetasi D. N. Vijon puna për kapjen e tij. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.”