Vendosni fjalën kyçe....

Droga në portin e Durrësit, policia jep detaje: Kapëm 45.5 kg kokainë në kontejnerin me mish pule me destinacion Maqedoninë e Veriut


Policia e Shtetit është deklaruar mbi operacionin e koduar “Tranziti” në Portin e Durrësit ku janë kapur 45.5 kg kokainë.

Kokaina ishte e vendosur në një kontejner të ngarkuar me mish pule që vinte nga Brazili për llogari të një subjekti në Maqedoninë e Veriut.

Droga ishte ndarë në 40 pako dhe me ambalazhe të filmave vizatimorë.

Në njoftimin e policisë nuk raportohet për të arrestuar, ndërsa thuhet se po punohet për identifikimin e autorëve të përfshirë në trafik.

Port, Durrës – Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kriminale e DVP Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të Portit, evidentojnë dhe godasin një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike.

Finalizohet një tjetër operacion policor antidrogë, i koduar “Tranziti”.

Operacioni, nga Task Forca permanente e përbërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të Portit.

Sekuestrohen 45 kilogramë e 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësit, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë dhe informacioneve që dispononte Policia Kriminale e DVP Durrës, është ushtruar kontroll i detajuar në një kontenier të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në të.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”-thuhet në njoftim.

Kujtojmë se në Brazil u kapën 350 kg kokainë mëngjesin e 7 qershorit. Droga posedohej nga shqiptari Altin Drimadha i cili është shpallur në kërkim. Policia brazilianë çarmatosi fillimisht dy shtetas vendas që e ruanin, ndërkohë që gjetën 350 kilogramë kokainë të pastër të paketuar në kuti ‘Louis Vuitton’, dhe 230 mijë dollarë. Ndërkohë që në një jaht në Portugali u sekuestrua 650 kg kokainë të tjera lidhur me Altin Drimadhën.