Vendosni fjalën kyçe....

Faktohet lidhja e Mirel Mërtirit me kompaninë e inceneratorëve/ CNA.al publikon dokumentin e dytë


Disa ditë më parë, CNA.al publikoi një dokument ekskluziv, i cili tregonte lidhjen e Mirel Mërtirit me kompaninë e cila qëndron në majë të piramidës së koncesionit të inceneratorëve në Shqipëri.

Sikurse shikohet edhe në dokumentin më poshtë, Mirel Mërtiri është negociator në Zimbabve, në emër të kompanisë Geogenix, e cila në fakt është kompania Integreted Energy B.V, që ka marrë koncesionin e inceneratorit të Tiranës.

 

 

Ndërkohë, CNA.al sjell sot dokumentin e dytë, që tregon lidhjen direkte të Mirel Mërtirit me kompaninë e inceneratorëve.

Dokumenti më poshtë, i cili mban datën 29/ 04/ 2019, drejtuar autoriteteve në Irak, Mirel Mërtiri firmos në emër të kompanisë Integrated Energy B.V.

CNA.al ka publikuar edhe më parë, dokumente të tjera ku dalin emrat e Guiseppe Ciafaglione, apo edhe Klodian Zoto.

Ndërsa, pas dokumentit të parë në Zimbabve, sot CNA.al sjell dokumentin e dytë, që shkon në Irak. Dhe përfaqësues i Integrated Energy B.V, në Irak, është Mirel Mërtiri.

 

 

Pra, Mirel Mërtiri firmos letër kërkesë në Irak, në emër të kompanisë që ka marrë koncesionin e inceneratorit të Tiranës.

Një kompani e regjistruar në Holandë, ku në fakt del një skemë, me disa kompani off-shore.

Ndërsa ky dokument tregon qartë lidhjen e Mirel Mërtirit me inceneratorët.

 

Pra, nëpër skema del qartazi edhe emri i Mirel Mërtirit, i quajtur edhe si truri i inceneratorëve, pavarësisht se nuk është në hetim dhe shëtit i lirë.

Është bashkëjetues i Stela Gugalljes dhe ortak i saj në ER One Albania.

Ndërsa Stela Gugallja, një njeri pa eksperiencë, del tek Albtek Energy, që ka marrë koncesionin e inceneratorit të Elbasanit.

Ndërsa në Tiranë, ku duket se “zullumi” është edhe më i madh, shitet si një kompani holandeze, por që në fakt dokumentet tregojnë se edhe pas skemës së kryeqytetit qëndrojnë të njëjtat emra.

Nëpërmjet këtij dokumenti, CNA.al i tregon SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë, se kush është Mirel Mërtiri, çelësi i kësaj historie.

Kujtojmë këtu se Mërtiri është akuzuar dhe për çështje të tjera në Zimbabve, ku ai dilte si negociator.

Ndërsa dokumenti i sotëm tregon se nuk është thjeshtë negociator, por Mirel Mërtiri firmos në emër të kësaj kompanie, e cila ka incenerarorin e Tiranës, ku po kryhen hetime por nuk po zbardhet e vërteta.

Një kompani inekzistente, shitet si një sukses holandez, u korruptua gjithë media, dhe tani duket se po shpërndahet në gjithë botën.

CNA.al do sjellë të tjera dokumente ekskluzive të të gjithë skemës së inceneratorëve, pa ndalim derisa SPAK të zbardhë të vërtetën.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e CNA.al