Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka folur në një intervistë lidhur me qëllimin e vizitës së tij në Uashington, dhe takimin me drejtorin e FBI-së, Cristopher Wray.
“Takimi me drejtorin e FBIsë ishte një takim shumë i rëndësishëm, çka tregoi besimin e tij te lidershipi i Policisë shqiptare dhe njëherazi mbështetjen e FBI-së për Policinë shqiptare. Më gjatë nuk preferoj të flas për detaje të takimit pasi i përkasin punës policore, që nuk është e nevojshme për ta bërë publike. U bisedua për çështje konkrete, të cilat janë shumë sensitive dhe në fazë hetimi.”- tha ai në një intervistë për Gazetën Panorama.
Sipas Nanos, Policia e Shtetit ka zhvilluar shumë operacione në bashkëpunim me FBI-në, DEA-n, me Zyrën e Sigurisë së Ambasadës Amerikane e me agjencitë të tjera ligjzbatuese amerikane. Ai tha se momentalisht po punojnë për të goditur grupe të krimit të organizuar por nuk mund të japë më tej informacione për shkak të sekretit hetimor.
“Siç e theksova, Policia e Shtetit ka zhvilluar shumë operacione me FBI-në, DEA-n, me Zyrën e Sigurisë së Ambasadës Amerikane e me agjencitë të tjera ligjzbatuese amerikane, gjë që tregon qartë që jemi në procese zhvillimi për të goditur grupet e krimit të organizuar që operojnë në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, të kontrabandës, të korrupsionit, të pastrimit të parave, të terrorizmit etj. Them me bindje se kemi kapacitet për t’iu përgjigjur dhe për të punuar krah për krah me Policitë e vendeve perëndimore. Për shkak të sekretit hetimor nuk mund të bëj me dije asnjë detaj më shumë nga këto takime dhe zhvillime që presim në të ardhmen.”- u shpreh Nano.