Vendosni fjalën kyçe....

Kina paralajmëron SHBA-në për Tajvanin: Do luftojmë deri në fund pa marrë parasysh koston


Kryeministri i Tajvanit Su Tseng-chang ka bërë thirrje për bisedime me Kinën në mes të tensioneve gjeopolitike në rritje me kontinentin, duke thënë se afrimi duhet të bëhet pa parakushte dhe me palët që të trajtohen si të barabarta.

“Tajvani nuk dëshiron t’i mbyllë derën Kinës.” – u tha Su gazetarëve

“Është Kina ajo që ka përdorur mjete të ndryshme për të shtypur dhe trajtuar në mënyrë të paarsyeshme Tajvanin.”

Su i bëri komentet e tij pasi Pekini ndaloi importet e peshkut nga Tajvani, një veprim që Taipei kishte pretenduar se ishte i motivuar politikisht. Disa orë më parë, ministri kinez i Mbrojtjes Wei Fenghe tha se Kina kërkon ribashkim paqësor me Tajvanin, por po planifikonte edhe mundësi të tjera.

Duke folur në forumin e sigurisë Shangri-La Dialogue në Singapor, Wei përsëriti një paralajmërim kundër çdo vendi që ndërhyn në marrëdhëniet Kinë-Tajvan.

“Nëse dikush guxon të ndajë Tajvanin nga Kina, ne do të luftojmë deri në fund, pa marrë parasysh koston.” – tha ai.

“Askush nuk duhet të nënvlerësojë kurrë vendosmërinë dhe aftësinë e forcave të armatosura kineze për të mbrojtur integritetin e saj territorial.” – shtoi ai.

Wei i tha Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin të premten se Kina do ‘luftojë me çdo kusht’ ndaj çdo përpjekjeje për të ‘ndarë Tajvanin nga atdheu’.

Ministria e Jashtme e Kinës i bëri thirrje Uashingtonit të anulojë shitjen e fundit të armëve për Tajvanin dhe të ndërpresë lidhjet ushtarake me republikën separatiste.