NATO nuk kishte asnjë arsye të besonte se do të kishte ndonjë problem me aplikimet për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës, tha të hënën Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, duke pranuar se ishte i qartë me shqetësimet ‘e ligjshme’ turke.
Ai ende dëshiron që Stokholmi dhe Helsinki të bashkohen sa më shpejt të jetë e mundur me aleancën.
“Më herët gjatë procesit, ne nuk kishim arsye për të besuar se do të kishte ndonjë problem.” – tha Stoltenberg për Financial Times të hënën, gjatë vizitës në Suedi. Në prill, NATO i kishte premtuar Suedisë dhe Finlandës se faza e parë e pranimit të tyre do të zgjaste vetëm disa javë, por u përball me kundërshtimet turke pasi Ankaraja akuzoi të dy vendet për mbështetjen e terrorizmit.
“Shqetësimet turke nuk janë të reja”, shtoi Stoltenberg, duke e quajtur Turqinë ‘një aleat të rëndësishëm dhe kur një aleat ngre shqetësime për sigurinë, ne duhet t’i adresojmë ato’.
“Këto janë shqetësime të ligjshme. Kjo ka të bëjë me terrorizmin, ka të bëjë me eksportet e armëve”, tha Stoltenberg të dielën në Finlandë.
“Ne duhet të adresojmë shqetësimet e sigurisë të të gjithë aleatëve, përfshirë shqetësimet turke për grupin terrorist PKK.”
Ankaraja ka akuzuar Helsinkin dhe Stokholmin se strehojnë anëtarë të grupeve të jashtëligjshme kurde që i konsideron si ‘terroristë’ dhe bllokojnë eksportet e armëve në Turqi.
Suedia dhe Finlanda thuhet se janë ankuar se Turqia nuk u ka paraqitur kërkesa specifike. Një listë prej dhjetë pikash u shfaq në mediat turke javën e kaluar, por mbetet e paqartë nëse ajo përfaqëson qëndrimin zyrtar të Ankarasë.
Stoltenberg pritet të mbledhë zyrtarë suedezë, finlandezë dhe turq në Bruksel në javët e ardhshme.