Vendosni fjalën kyçe....

Politikani izraelit pranon publikisht se dëshiron “zhdukjen” e palestinezëve, videoja e tij zemëron rrjetin


Matan Kahana

Një anëtar i partisë politike në pushtet të kryeministrit izraelit Naftali Bennett ka shkaktuar shumë zhurmë pasi ka uruar me zë të lartë zhdukjen e të gjithë arabëve palestinezë nga shteti hebre.

“Nëse do të kishte një lloj butoni që mund ta shtypnim që do t’i zhdukte të gjithë arabët, t’i dërgonte ata me një tren ekspres për në Zvicër, unë do ta shtypja atë buton.”- tha anëtari i Knesset-it, Matan Kahana të hënën në një fjalim për një grup nxënësish të Bregut Perëndimor.

Kahana i cili është një anëtar i partisë nacionaliste “Yamina” të Bennett-it, si dhe zëvendësministër i shërbimeve fetare, duket se po përpiqej të theksonte se pavarësisht dallimeve të tyre, izraelitët dhe palestinezët nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të gjejnë mënyra për të bashkëjetuar. Por mënyra si u shpreh nuk ishte e duhura.

 “Por çfarë mund të bësh?”-vazhdoi ai sipas RT. “Nuk ka asnjë buton të tillë. Prandaj duket se ne duhej të ekzistonim së bashku në këtë tokë në një farë mënyre.”

Këto komente u kapën në video dhe pamjet u publikuan të martën nga transmetuesi publik izraelit Kann. Deklaratat e Kahana-s nuk u pritën mirë në rrjet.

Të zemëruar pati edhe mes anëtarëve të partisë së Listës së Bashkuar Arabe (Ra’am), partnere e koalicionit qeverisës.

“Matan Kahana, ne jemi këtu sepse ky është atdheu ynë.”– tha ligjvënësi i partisë Ra’am, Walid Taha. “Ju dhe ata që mendojnë si ju, do të vazhdoni të mbeteni të zhgënjyer sepse ne thjesht nuk do të zhdukemi.”

Një tjetër anëtar i koalicionit, Eli Avidar i partisë konservatore “Yisrael Beytenu”, e quajti deklaratën e zv.ministrit “një vërejtje të mjerë”.

“Është turp që u tha.”-shtoi ai. “Arabët janë qytetarë izraelitë dhe ata janë këtu për të qëndruar. Ajo që ne duhet të heqim janë vërejtjet dhe opinionet fanatike.”

Kahana iu përgjigj zhurmës përmes një postimi në Twitter, duke thënë se disa nga komentet e tij për studentët ishin “të formuluara keq”. Por synimi i tij kishte qenë që të tregonte se si popullsia hebreje ashtu edhe ajo arabe duhet të bashkëpunojnë dhe bashkëjetojnë me  njëra-tjetrën.