Vendosni fjalën kyçe....

Saimir Korreshi: Mendohuni mirë para se të martoheni, në Tiranë sot do 2 vjet të divorcohesh


Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka kritikuar hartën e re gjyqësore.

Gjatë mbledhjes së sotme në Komisionin e Ligjeve ku po prezantohet raporti vjetor i KLGJ-së, Korreshi ironizoi duke thënë se shqiptarët duhet të mendohen mirë para se të martohen pasi sot një zgjidhje martese (divorc) zgjat sot dy vjet në Tiranë, e 30 ditë në Lushnjë.

“Me nismën për hartën e re gjyqësore ka mosakordancë të asaj çfarë ndodh dhe asaj që veprohet në terren. Një zgjidhje martese në Gjykatën e Tiranës sot do dy vjet, një zgjidhje martese në Lushnje do 30 ditë. Po deshën le të mendohen mirë po duan të martohen. Për të mos folur për Apelet. Të gjitha Apelet kanë ngarkesë të jashtëzakonshme… Kjo është shqetësuese se drejtësi e vonuar, drejtësi e munguar. Duhet t’i dini dhe këto kur vendosni që të shkrini një gjykatë. Ose 6 Apele t’i ktheni në 1. Përveçse mungesës së gjyqtarëve. Numri që mungon këtu do nja 40 vjet që ju t’i plotësoni magjistratët me këta të rinjtë. Se aty në Shkollën e Magjistraturës shkojnë 15-20 në vit dhe ata dalin në treg për 3 vjet.

Cila është zgjidhja juaj për të zgjedhur gjyqtarë të rinj. Përse nuk keni bërë një propozim ligjor? Mund të merrnin profesorë të së drejtës… Pse nuk jeni konsultuar me profesorë të të drejtës? Mund t’i jepni një zgjidhje atyre. Magjistrati i ri që del gjyqtar në moshën 25 vjeç, nuk ka eksperiencë në administratë. S’mund të presim 40 vjet sa të dalë magjistrati i ri… Dhe për të dalë te harta territoriale kam parë diku se i jeni referuar sistemit italian. Inshallah nuk është e vërtetë se hiqi vendimmarrjen atij sistemi, gjithë të tjerat janë të gabuara. Atje vdes pa le të marrësh të drejtën.”– tha Korreshi gjatë fjalës së tij në Komision.