Vendosni fjalën kyçe....

Debatet për etikën/ Spaho i ankohet Nikollës: Kërkoj të përdoret i njëjti standard, unë u përjashtova për një fjalë, Rama që përdori fjalor ordiner jo


Pas debateve të sotme në Parlament, deputeti demokrat Edmond Spaho kujtoi përjashtimin e tij nga një seancë e kaluar pas një debati me kryeministrin Edi Rama.

Ai akuzoi kryeparlamentaren Lindita Nikolla se nuk po mbahet i njëjti qëndrim ndaj të gjithë deputetëve lidhur me çështjet etike.

“Ndoqa diskutimin e zotit Majko. Veçanërisht pjesën për moralin. Seancën e kaluar kam ngritur të njëjtat çështje në Kuvend. Dhe jam përjashtuar për një fjalë që përdora për të treguar veshin e shurdhër të maxhorancës për ato probleme, me të cilin e ngriti dhe zoti Braçe dhe Sula. Desha të theksoj se është e domosdoshme që këtu të aplikohet i njëjti standard. Si për deputetët e maxhorancës dhe të opozitës.

Po ju kujtoj që kryeministri ka përdorur fjalor ordiner, të ulët kur më është drejtuar 3 seanca më përpara në prezencë të ministreve të kabinetit dhe të kërkonte përjashtimin e kryeministrit nga seanca. Ai fjalor nuk përdoret as në rrugë, aq më tepër në prezencë të femrave. Kur kërkojmë moral, kërkojmë për të gjithë. Fjalët që përdorim përdoren në kontekst politik.”– tha Spaho.

Zonja Nikolla u përgjigj se në respekt të rregullores dhe të etikës, të gjithë do të jenë të barabartë në gjykimin dhe vlerësimin.