Gjermania ka akuzuar gjigantin rus të gazit të kontrolluar nga shteti “Gazprom” se po përpiqet të rrisë çmimet e energjisë duke ulur ndjeshëm furnizimet.
Kjo vjen pasi “Gazprom” tha se po kufizon sasinë e gazit për Gjermaninë nën 70 milion metra kub në ditë – shumë më pak se gjysma e normës aktuale.
Arsyeja që dha ishte shërbimi i pajisjeve në tubacionin Nord Stream. Por ministri gjerman i ekonomisë Robert Habeck tha se ky ishte “një vendim politik” dhe jo teknik.
“Është padyshim një strategji për të shqetësuar dhe për të rritur çmimet.”- tha Habeck, sipas BBC.
“Gazprom” tha fillimisht të martën se do të shkurtonte rrjedhën e gazit Nord Stream 1 nga 167 milion metra kub në ditë në 100 milion, por më pas të mërkurën njoftoi se do të shkurtonte më tej në 67 milion metra kub. “Gazprom” gjithashtu uli furnizimin me gaz në Itali me rreth 15% të mërkurën, tha firma energjetike ENI. Italia, ashtu si Gjermania, është shumë e varur nga gazi rus, i cili përbën 40% të importeve të saj.
Lëvizja e kompanisë ruse erdhi dy javë pasi udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë dakord të bllokonin shumicën e importeve të naftës ruse deri në fund të vitit 2022 për të ndëshkuar Moskën për pushtimin e Ukrainës.
Polonia, Bullgaria, Finlanda, Danimarka dhe Holanda tashmë kanë pezulluar furnizimet e tyre të gazit natyror rus pasi refuzuan kërkesën që “vendet jomiqësore” të paguajnë në rubla ruse.
Kërkesa e Rusisë për pagesat u pa si një përpjekje për të rritur rublën pasi u godit nga sanksionet perëndimore. Kërkesa më e madhe e këmbimit valutor për rublan ka të ngjarë të rrisë kërkesën dhe të rrisë vlerën e monedhës.
Habeck tha se veprimet e Rusisë treguan se vendet evropiane duhet t’i japin fund varësisë së tyre nga lëndët djegëse fosile urgjentisht. Në shkurt, Gjermania pezulloi hapjen e gazsjellësit Nord Stream 2, pak para se Rusia të niste luftën e saj në Ukrainë.
Ministri tha se do të priste për të parë se si veprimi do të ndikojë në tregjet evropiane dhe gjermane të gazit, por tha se furnizuesit kishin arritur gjithmonë të gjenin gaz nga burime të tjera.
Në një tjetër zhvillim të mërkurën, BE nënshkroi një marrëveshje me Izraelin dhe Egjiptin që synon rritjen e sasisë së gazit natyror izraelit të eksportuar në vendet evropiane.