Vendosni fjalën kyçe....

Kërcënimi nga Koreja e Veriut bën bashkë Korenë e Jugut e Japoninë, ftojnë në marrëveshje edhe SHBA-në


Koreja e Jugut po kërkon ‘të ndreqë gardhet’ me Japoninë, të paktën kur bëhet fjalë për bashkëpunimin për çështjet e sigurisë, pasi Seuli kërkon ndihmë në adresimin e kërcënimeve të përshkallëzuara raketore dhe bërthamore nga Koreja e Veriut.

“Megjithëse disa çështje dypalëshe mbeten të pazgjidhura midis Koresë së Jugut dhe Japonisë, ne synojmë që të dyja palët të bashkojnë urtësinë e tyre për të arritur zgjidhje të arsyeshme në një mënyrë që pasqyron interesat e përbashkëta të dy vendeve.” – tha Ministri i Mbrojtjes së Koresë së Jugut Lee Jong-sup në një forum sigurie në Singapor.

Diskutimet mes palëve do përfshijnë jo vetëm normalizimin e marrëdhënieve të sigurisë midis vendeve, por edhe rritjen e bashkëpunimit trepalësh me SHBA-në për t’iu kundërvënë kërcënimeve të Koresë së Veriut, tha Lee. Në të njëjtën kohë, shtoi ai, Yoon synon të ‘përforcojë në mënyrë të shpejtë aftësitë e reagimit të ushtrisë së Koresë së Jugut’.

Lee dhe homologët e tij japonezë dhe amerikanë u takuan në forumin, të quajtur Dialogu Shangri-La, duke rënë dakord të forcojnë bashkëpunimin e mbrojtjes midis tre vendeve. Bisedimet shënuan takimin e parë personal midis shefave të mbrojtjes koreano-jugore dhe japoneze që nga nëntori 2019.

Marrëdhëniet e Koresë së Jugut me Tokion u përkeqësuan në vitin 2018, pasi një gjykatë e Seulit urdhëroi kompanitë japoneze të paguanin kompensim për përdorimin e punëtorëve gjatë pushtimit japonez të Gadishullit Korean në vitet 1910-1945. Japonia u përgjigj duke vendosur kufizime të reja në eksportet e materialeve kryesore të teknologjisë së lartë në Korenë e Jugut.

Të dy vendet kanë pasur prej kohësh lidhje të tendosura, kryesisht për shkak të grindjeve që rrjedhin nga kolonizimi i gadishullit nga Japonia dhe përdorimi i skllevërve të seksit koreanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.