Presidenti Ilir Meta e ka konsideruar rritjen e çmimit të produkteve ushqimore, si problemin më të madh për momentin.
Pas Forumit IX Global të Bakusë, Meta ka ngritur shqetësimin se pasojat e luftës në Ukrainë kanë shkaktuar efekte valëzuese në mbarë globin në furnizimin me ushqime, sepse Ukraina dhe Rusia janë dy vendet që furnizojnë botën me 30% të grurit dhe 20% të misrit.
Meta ka ngritur alarmin se do të gjendemi me një shpallje lufte ndaj sigurisë globale të ushqimit, nga pasojat e pushtimit rus në Ukrainë.
Çfarë shkruan Meta
Pasojat e luftës në Ukrainë kanë shkaktuar efekte valëzuese në mbarë globin në furnizimin me ushqime, sepse Ukraina dhe Rusia përbëjnë dy nga ‘shportat e bukës’ që furnizojnë botën me 30% të grurit dhe 20% të misrit.
Ndaj dhe në Forumin IX Global të Bakusë nënvizova se për momentin, çmimi i ushqimit është problemi numër një.
Deri në vitin 2023 do të përballemi vërtet me një problem të disponueshmërisë së ushqimit, duke pasur parasysh se rreth 300 milionë njerëz në mbarë botën janë tashmë të pasigurtë përsa i përket ushqyerjes, sipas Programit të Ushqimit Botëror.
Të gjitha portet e Detit të Zi duhet të hapen dhe funksionojnë, përndryshe do të gjendemi me një shpallje lufte ndaj sigurisë globale të ushqimit dhe kjo do të prodhonte uri, destabilizim dhe migrim masiv kudo.
Qindra miliona njerëz në mbarë botën varen nga ushqimi që vjen përmes këtyre porteve.
Udhëheqësit e botës duhet të bëjnë çdo gjë të mundshme për t’i sjellë tregjet në stabilitet përpara se gjërat të përkeqësohen, sepse, në terma afatgjatë, çmimet globale të ushqimeve do të rriten edhe më shumë si rezultat i rolit të Rusisë si prodhuesi kryesor i plehrave të nevojshme për të korrat.