Vendosni fjalën kyçe....

“Në Kuvend vjen era puro e hashash” – Nikolla kritikon deputetin Sula: Fyerje e madhe kjo, kërko falje


Deputeti i PD-së Dashnor Sula deklaroi se në Parlamentin shqiptar vjen era puro, madje edhe hashash.

Gjatë fjalës së tij në foltore, Sula u ankua për çmimet e larta në vend dhe tregoi që shportën me ushqime që kishte dashur të prezantonte në Kuvend nuk e kishin lejuar ta fuste në sallë.

Më pas bëri deklaratën se purot dhe hashashi janë të pranishme në Kuvend.

“Në këtë Kuvend vjen era puro, për të mos thënë se vjen dhe era hashash. Ky është realiteti zonja kryetare. Po kadillaku i kryeministrit e di sa benzinë e naftë harxhon? Apo i ministrave të tjerë? Po e dini se çmimi i naftës është jashtëzakonisht i lartë.

Unë nuk e kam për turp dhe jam krenar që jam fshatar, dhe që përfaqësoj gjithë ata fshatarët e bujqit. Dilni e shikoni njëherë nëpër fshatra, është gjendja katastrofike. Babai im 78 vjeç punon vetë, se nuk gjen punëtorë. Sikur 10% e parave të pista që investohen në Shqipëri të përdoreshin për punë të mira, do mbanim Ballkanin me bukë. Neve të opozitës domatet na kanë ngelur, por qeverisë i ka ngelur kokaina. Mos mi bëj duart ashtu Pando, se u kap me 20 kg Kajmaku. Ngrini zërin, vini fre qeverisë.”- tha deputeti Sula.

Por kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla i tërhoqi vëmendjen Sulës duke thënë se kjo deklaratë e tij ishte një fyerje e madhe për institucionin.

“Është fyerje e madhe që i bëhet institucionit, kolegëve deputetë, duke thënë një të vërtetë të madhe. Ju kërkoj të kërkoni falje.”- tha Nikolla.

Sula iu përgjigj që s’kishte akuzuar askënd dhe s’e mbase ka ngatërruar erën e puros me hashashin.

“Nuk akuzova askënd. Unë nuk pi as duhan, dhe mund ta ngatërroj, por aty vjen era puro e të mbyt.”– tha Sula.