Kancelari gjerman Scholz, presidenti francez Macron e kryeministri italian Draghi kanë udhëtuar drejt Kievit në një vizitë solidariteti me vendin në luftë.
Kancelari gjerman Scholz premtoi mbështetje të mëtejshme për vendin e shkatërruar nga lufta në udhëtimin e tij të parë të shumëpritur në Ukrainë. Pjesë e vizitës ishte edhe presidenti rumun Klaus Iohannis.
Udhëheqësit evropianë takuan presidentin Zelenskyy për të diskutuar mbështetjen e mëtejshme. Çështja kryesore ishte dëshira e Ukrainës për t’u anëtarësuar në BE. Ambasadori ukrainas në Gjermani, Andriy Melnyk, kërkoi përsëri që Scholz të dorëzonte më shpejt armët e rënda.
Scholz, Macron dhe Draghi udhëtuan së bashku gjatë natës në një tren special për në Kiev. Menjëherë pas mbërritjes së tyre, në kryeqytetin ukrainas u aktivizua një alarm ajror, i cili u hoq sërish pas 30 minutash.
Pas mbërritjes së tij, Scholz vizitoi periferinë pjesërisht të shkatërruar të Kievit, Irpin. Në Irpin, Scholz dënoi ‘brutalitetin’ e luftës ruse si dhe foli për dhunë të pakuptimtë.
Ndërkohë presidenti rumun Iohannis bëri thirrje për nxjerrjen e Rusisë para një gjykate penale ndërkombëtare. Kryeministri i Italisë Draghi nga ana e tij beson se Ukraina është në gjendje të rindërtohet pas luftës së agresionit rus.