Vendosni fjalën kyçe....

“Pse nuk del më ajo vajza me syze e OFL-së”- Felaj dhe Çuçi kritikojnë Salianjin: Trego respekt për njerëzit me uniformë, mund të ishte dhe “djali me syze”


Nënkryetarja e Parlamentit Ermonela Felaj, i ka tërhequr vëmendjen deputetit Ervin Salianji për mënyrën se si u shpreh gjatë Interpelancës me ministrin e Brendshëm Blendi Çuçi, kur zëdhënësen e OFL-së e përmendi si “ajo vajza me syze”.

Felaj i kujtoi Salianjit se ai e ka për detyrë të tregojë respekt për njerëzit me uniformë dhe ata që s’e kanë vendin në sallën e Parlamentit.

“Zoti Salianji, në respekt të Kodit të sjelljes së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë ju sjell në vëmendje se vajza me syze që mund të ishte dhe djali me syze po nuk e di në do e kishte tërhequr kjo vëmendjen tuaj, është punonjës i Policisë së Shtetit, është oficere e Policisë së Shtetit dhe si deputet dhe si anëtar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare keni detyrimin të respektoni të gjithë njerëzit me uniformë dhe për më tepër të gjithë njerëzit që nuk kanë lidhje me këtë sallë.”- tha Felaj.

Pasi morin fjalën, edhe ministri Çuçi kërkoi nga Salianji të tregonte respekt.

“Tani për respektin ndaj njerëzve veçanërisht dhe përgjithësisht ndaj ruajtjes së balancave gjinore besoj jemi vite larg. Ajo që ju e quajtët vajza me syze, sot është këshilltare në kabinetin e ministrit të Brendshëm sa për dijeni, në lidhje me ku e kemi çuar ne Shqipërinë dhe Sigurinë e Shqipërisë, mund të bëni sa të doni këtu rolin e spikerit të kronikës së zesë.”– tha Çuçi.

Çfarë tha Salianji?

Deputeti demokrat Ervin Salianji ngriti dyshime në Kuvend se kontigjentët e krimit u përdorën si patronazhistë të partisë në pushtet, PS. Ai u shpreh se pas zgjedhjeve, emrat e tyre u futën në arkivë dhe nuk u çuan për hetime në SPAK.

Këtu ai pyet se pse nuk del më “vajza me syze” pas zgjedhjeve.

“Keni bërë një ligj keni grumbulluar burime. Keni bërë sikur do bëhet nami dhe keni vetuar 52 vendime nga më shumë se 11 mijë. Keni mbajtur njerëz në punë dhe keni shpenzuar miliona euro. Këto i keni me shkresa. Kriminelët jo vetëm që nuk po i kapni dot por po ju kapin ata. Tani thatë të pjesa tjetër që paska një sekret. Unë do pres kur të më jepni emra dhe do i them me emra. Ju i keni ligjëruar një pjesë të madhe të kontigjentit kriminal që ka qenë me ju.

A dilte ajo goca me syve para 25 prillit. Pse nuk del më kjo pas 25 Prillit? Ku janë ata që dilnin si nëpër filma dhe ndalonin krimin në rrugë. Ku janë këta sot që të kuptojë edhe publiku a ka pasur apo jo selektivitet. A përgjigjeni dot drejtpërdrejtë a ka fuqi ligji përballë njerëzve me fuqi politike në Partinë Socialiste. Ju dini të bëni më mirë mashtrimin. Thatë pak përpara që kemi hartuar mbi 2000 praktika. Ku i gjeni këto zoti Ministër. Kjo është periudha në të cilën ka pasur efekt ligj. Policia thotë 515 ju thoni 2000. Janë arkivuar praktika për 272 subjekte? Pse janë arkivuar ata, sepse kanë qenë mbështetës të PS?

A janë këta njerëz që janë favorizuar. Se do i them edhe me emra disa. SPAK ka kthyer për plotësim materiali 51 raste. 1800 të tjerë janë arkivuar sepse kanë qenë patronazhistë të PS në zgjedhje. Janë këta që pastrojnë paratë në Tiranë. Janë arsyeja pse Shqipëria futet në listën gri të pastrimit të parave.”- tha Salianji.