Vendosni fjalën kyçe....

Seanca plenare nisi me debate, Alibeaj: Kërkesat tona nuk i përfshitë në rend dite, kërkojmë zbatimin e rregullores njësoj për të gjithë


Ka nisur me debate seanca e sotme plenare në Kuvend. Deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj akuzoi maxhorancën se nuk ka përfshirë në rendin e ditës kërkesat e opozitës. Ai tha se është depozituar nga deputetët e PD-së kërkesa për ngritjen e komisionit për investimet strategjike. Por kjo nuk është përfshirë në rend dite.

“Edhe dje ju nuk e përfshitë në rend dite, besoj që kjo është shkelje së paku flagrante e rregullores. Këto ishin shkaqet për të cilat do duhet që ky Kuvend jo vetëm të mbrojë të drejtat e deputetëve por dhe të veprimtarisë normale të marrë masa për të rikuperuar situatën e rëndë të krijuar dje në konferencën e kryetarëve.”- tha Alibeaj.

Seanca sot drejtohet nga nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj e cila tha se kërkesa për mirëkuptim në konferencën e Kryetarëve nga mazhoranca ishte që opozita të jepte pëlqimin për kalendarin e punimeve për të parashikuar një seancë plenare të posaçme në 7 korrik në nder të përkujtimit të viktimave nga gjenocidi serb në Kosovë.

Alibeaj iu kthye duke kërkuar respektimin e rregullor në mënyrë të njëjtë për të gjithë: “Zonjë, ajo se çfarë u përpoqa t’ju shpjegoj është fakti që ju keni detyrimin e gjithë ky parlament të respektojnë rregulloren. Çdo kërkesë që përmbush ekstremitetet, të futet në rend dite e diskutohet janë elementet minimal për rregullshmërinë. Kërkesat tona i plotësonin këto elementë. Nëse ka kërkesa të tjera, sipas rregullave të procedurës, për ne s’ka asnjë problem, ne kërkojmë zbatimin e ligjit njëlloj për të gjithë. Dje ajo kërkesë u paraqit në konferencë, nuk na u shpërnda paraprakisht. Nëse ka kërkese për atë përmbajtje për atë datë depozituar është e mirëseardhur do e keni mbështetjen tonë në këtë pikë.”