Vendosni fjalën kyçe....

“Shumë kolegë këtu pinë duhan por s’janë fajtorë” – Majko debaton me Sulën


Pas deklaratës së deputetit Dashnor Sula se në Kuvend “vjen era puro, madje edhe hashash”, kanë nisur debatet.

Deputeti i PS-së Pandeli Majko e korrigjoi kolegun e PD-së duke i thënë se duhan mund të pinë shumë kolegë në Parlament dhe nuk janë fajtorë për këtë gjë.

“Mos mi bëj duart ashtu Pando, se u kap me 20 kg Kajmaku. Ngrini zërin, vini fre qeverisë.”– tha Sula pasi bëri deklaratën për aromën e puros, kur vuri re reagimet nga Majko.

Këtu ndërhyri ky i fundit: “Shpesh për t’u bërë të besueshëm, ne i biem vetes, e kam fjalën për politikën. Ka shumë kolegë që për arsye të ndryshme pinë duhan, dhe nuk janë fajtorë, por ta trajtosh këtë sikur po ju vret e po ju hapet zemra për fshatarët, mendoj se është e gabuar. Duke dashur të bëhemi të ndjeshëm, shfaqim të kundërtën. Dua t’iu kujtoj diçka, që ju jeni pjesë e opozitës, që tenton të përfaqësojë moralin e shoqërisë, dhe kur ju shikon juve se si jeni sot, mendoj se duhet të jeni të vetëdijshëm, se para se t’i kërkoni mazhorancës, duhet të ktheni dhe kokën nga vetja.”

Pas këtyre fjalëve, Sula tha se ndihet i zhgënjyer nga qasja që MAjko ka për të. Ai theksoi se është pasionant dhe se i tillë do të mbetet derisa të vdesë.

“Me gjithë respektin që kam për z. Majko, ndihem i zhgënjyer me këtë qasje që ka për mua dhe për opozitën. Unë e kam thënë, nuk i përkas vetes sime dhe familjes sime, unë iu përkas atyre qytetarëve atje dhe në raport me të vërtetën do i them gjërat siç janë. Kujt i pëlqen dhe kujt nuk i pëlqen është në zgjedhjen e tij. Është në nderin e këtij parlamenti që ka burra të nderuar, zonja të nderuara të mos shohim deri te gardhi jonë, te porta jonë, te paga jonë, te privilegjet që kemi ne, por ta shtrijnë syrin përtej. Jam pasionant se më dhemb shpirti. Nuk jam hipokrit. Ky jam i tillë dhe kështu do të vdes.”- theksoi Sula.