Deputeti i PD-së Dashnor Sula ka falenderuar sot kolegun e maxhorancës Erion Braçe, pas fjalimit pasionant të këtij të fundit në foltoren e Parlamentit ku ngriti zërin për rritjen e çmimeve dhe foli për vështirësitë e bujve shqiptarë.
Sula tha se i vjen mirë që ka një koleg që ngre zërin nga maxhoranca dhe se i vjen turp nga kolegë të tjerë të maxhorancës dhe opozitës që nuk bëjnë të njëjtën gjë.
Ai kujtoi rivalitetin që ka patur me Braçen në vitet 2005-2013 dhe theksoi se rivali nga PS ka qenë konsekuent në sjelljen e tij politike.
“Të nderuar kolegë, të nderuar qytetarë shqiptarë, aq më shumë të nderuar bashkëfshatarët e qarkut të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë.
Sinqerisht unë do të doja që në emër të të gjithë bujqve të Myzeqesë dhe të gjithë Shqipërisë të falenderoj, dhe nuk e kam fare kompleks e as për diversion, deputetin Erion Braçe, të cilin e kam thënë edhe herë tjetër që e kam pasur përballë në vitin 2005-2013, dhe ka qenë konsekuent në sjelljen e tij politike dhe më vjen mirë që sot këtu ka një zë nga maxhoranca dhe më vjen turp, po e them më vjen turp që burra të maxhorancës dhe burra këtej nga opozita, nuk e ngrejnë zërin për hallet e fshatarëve që janë atje.
Mos shikoni vetëm shtëpinë tuaj, deri te gardhi, e porta juaj se keni njerëz, kushërinj, krushqi, të afërt që jetojnë në fshat atje. Që nuk i kanë rrogat tuaja, rrogat tona, nuk kanë paratë tona dhe atje mezi i dalin e mezi ushqehen. E thashë edhe herën e kaluar, kam dëgjuar e kam parë ata burra të cilët blejnë ar, flori, e pas 5 minutash thonë nuk kemi, jemi në krizë, por kemi parë dhe burra, ata fshatarët atje të cilët thonë ‘nuk kemi para për të blerë bukë, por prap do ia dalim’.”– tha Sula.