Vendosni fjalën kyçe....

Tkurret pasuria e më të pasurve në botë – Bloomberg


500 njerëzit më të pasur në botë kanë humbur 1.4 trilion dollarë që nga fillimi i vitit, sipas ‘Indeksit të Miliarderëve’ të Bloomberg.

Sipas llogaritjeve të tyre, më të pasurit e globit u bënë më të varfër me 206 miliardë dollarë vetëm të hënën. Changpeng Zhao, themeluesi i shkëmbimit më të madh të kriptomonedhave në botë, Binance, pësoi humbjet më të mëdha, me pasurinë e tij që u tkurr me 85.6 miliardë dollarë që nga fillimi i vitit në 10.2 miliardë dollarë.

Themeluesi i Tesla dhe Space X, Elon Musk, renditet i dyti për sa i përket humbjeve të parave, pasi u ka dhënë lamtumirën rreth 73.2 miliardë dollarë. Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos humbi 65.3 miliardë dollarë, ndërsa pasuria e pronarit të Meta, Mark Zuckerberg u tkur me 64.4 miliardë dollarë.

Kreu i grupit Louis Vuitton Moet Hennessy, Bernard Arnault, ka qenë gjithashtu fatkeq, pasi ka humbur 56.8 miliardë dollarë deri më tani këtë vit. Arkat e miliarderëve rusë nuk pësuan humbje kaq të mëdha, por gjithsesi pasuria e tyre ra.

Kreu i NOVATEK, Leonid Mikhelson humbi 7.29 miliardë dollarë, pronari i Severstal, Alexei Mordashov ra 7.4 miliardë dollarë dhe pasuria e ish-pronarit të klubit anglez të futbollit Chelsea, Roman Abramovich ra me 5.85 miliardë dollarë, vlerëson Bloomberg.

Analistët fajësuan kushtet ekonomike për rënien e pasurisë, pasi inflacioni në rritje dhe rritja e normave të interesit tronditin tregjet financiare.