Vendosni fjalën kyçe....

Turqia thotë se anëtarësimi i Suedisë i Finlandës në NATO nuk do bëhet pa u përmbushur kërkesat e saj


Aplikimet e Suedisë dhe Finlandës në NATO mund të lihen në harresë për një vit nëse vazhdojnë të strehojnë grupet kurde që Ankaraja i konsideron si ‘terroristë’, tha kryetari i komitetit parlamentar të Punëve të Jashtme të Turqisë.

Akif Cagatay Kiliç përsëriti se kundërshtimet e ngritura më parë nga Turqia për pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO janë një ‘çështje e interesit jetik kombëtar’ dhe se Ankaraja ‘është e përgatitur të parandalojë anëtarësimin e tyre edhe për më shumë se një vit nëse është e nevojshme’.

Deputeti gjithashtu argumentoi se Turqia meriton ‘respekt më të madh’ pasi është ‘ushtria e dytë më e madhe në NATO dhe ka ofruar dronët që ndihmojnë Ukrainën të mbrohet’.

Duke shpjeguar kundërshtimet e Turqisë ndaj anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në aleancën ushtarake, Kiliç akuzoi të dy vendet se ‘strehojnë organizata terroriste’.

Stokholmi dhe Helsinki, të dyja vende asnjanëse deri vonë, shprehën dëshirën e tyre për t’u bashkuar me aleancën ushtarake menjëherë pasi Rusia sulmoi Ukrainën në fund të shkurtit.

Më 18 maj ata aplikuan zyrtarisht për anëtarësim. Ndërsa drejtuesit e lartë të NATO-s, duke përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm Jens Stoltenberg, ishin zotuar për një proces të shpejtë pranimi por shpresat e tyre morën goditje kur Turqia paraqiti kërkesat e saj. Anëtarësimi kërkon pëlqimin njëzëri të të 30 shteteve.

Ankaraja pretendon se dy vendet nordike u kanë dhënë strehë anëtarëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) të përcaktuar si grup terrorist në Turqi, si dhe në BE dhe SHBA. Ankaraja tha se do të zhbllokonte aplikimet e Suedisë dhe Finlandës nëse ata pranonin të ekstradonin një numër aktivistësh kurdë.

Qeveria turke kërkon gjithashtu që Stokholmi dhe Helsinki të heqin ndalimin e eksportit të armëve, i cili iu imponua Turqisë në vitin 2019 në përgjigje të operacionit të saj ushtarak në veri të Sirisë kundër milicive kurde.

Për më tepër, Turqia dëshiron që ministri suedez i Mbrojtjes Peter Hultqvist të shkarkohet për shkak të takimit të tij me përfaqësuesit e PKK-së në vitin 2011 dhe gjithashtu po i bën thirrje Stokholmit dhe Helsinkit të ndërpresin lidhjet me administratën autonome kurde të mbështetur nga SHBA-ja në Sirinë veriore.

Të premten, Suedia botoi një dokument të politikës së jashtme, i cili theksoi nevojën për të luftuar terrorizmin si dhe sugjeroi se Stokholmi mund të rifillonte shitjet e armëve në Ankara.

Gjatë vizitës së saj në Suedi të martën, kryeministrja finlandeze Sanna Marin shprehu shqetësimin se ‘nëse nuk i zgjidhim këto çështje përpara samitit të Madridit, ekziston rreziku që situata të ngrijë’.

Udhëheqësit e NATO-s do të mblidhen në kryeqytetin spanjoll për një samit nga 28 deri më 30 qershor. Aplikimet e dy vendeve nordike pritet të jenë në krye të agjendës së tyre së bashku me gjendjen në Ukrainë.