Komisioni Evropian do mbështesë dhënien e statusit të vendit kandidat në BE për Ukrainën, raportoi Politico.
Disa zyrtarë të paidentifikuar ‘të njohur me debatin mes komisionerëve’ i thanë medias se ndër faktorët që e lanë peshoren në favor të Kievit ishin sakrificat që ukrainasit kanë bërë deri më tani, si dhe nevoja për t’i bërë të qartë Kremlinit se Ukraina nuk do jetë më kurrë pjesë e sferës së ndikimit të tij.
“Komisioni nuk harron se Ukraina është i vetmi vend në Evropë ku vdiqën njerëz, ku njerëzit u qëlluan sepse ishin në rrugë duke mbajtur flamuj të BE-së.” – shpjegoi një zyrtar i lartë.
“Tani, ne nuk mund t’u themi atyre, ‘na falni po ju valëvitët flamujt e gabuar’.” – shtoi ai.
Sipas Politico, ky ishte një nga argumentet që presidenti ukrainas Zelensky përdori gjatë vizitës së papritur të Presidentes së Komisionit Ursula von der Leyen në Kiev të shtunën, kur ai u përpoq të bindte shefen e BE-së se vendi i tij meriton statusin e shumëlakmuar.
Presidenti ukrainas thuhet se tha se duke i njohur ata si një vend kandidat për në BE, blloku do t’i jepte Ukrainës një nxitje morale shumë të nevojshme përballë ofensivës së vazhdueshme ruse.
Vendimi përfundimtar, megjithatë, i takon Këshillit Evropian, i përbërë nga krerët e shteteve dhe qeverive të të 27 vendeve anëtare të BE-së. Ata pritet të vendosin këtë çështje në një samit në Bruksel javën e ardhshme.
Ukraina do të ketë nevojë për mbështetjen njëzëri të të gjitha vendeve anëtare për të marrë statusin e kandidatit.
Megjithatë, Politico, duke cituar zyrtarë dhe diplomatë, vuri në dukje se të paktën tre vende ishin me sa duket kundër masës.
Të enjten e kaluar, Olga Stefanishyna, zëvendëskryeministrja e Ukrainës për Integrimin Evropian, foli gjithashtu për tre kombe që ishin të vendosur kundër Kievit. Megjithatë zyrtarja nuk i përmendi emrat e tyre.
Mediat ukrainase dhe evropiane, duke cituar zyrtarë anonimë, kanë përmendur Holandën, Danimarkën dhe Austrinë si vendet që nuk besojnë se Ukraina përmbush të gjitha kërkesat për statusin e kandidatit.
Ndërkohë, disa vende kanë sugjeruar skema alternative të ndryshme nga rruga e statusit të kandidatit.