Një 36-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi akuzohet për vjedhjen e disa mjeteve në Tiranë në bashkëpunim me disa persona të tjerë.
Ai është ndaluar në ‘Rrugën e Durësit’ gjatë operaciont të koduar ‘Cloned Key’.
Përveç të riut me iniciale K.S. policia ndaloi edhe vëllanë e tij, 41-vjeçarin me iniciale I.S. pasi të dy bashkë kundërshtuan policinë gjatë arrestimit.
Ky i fundit është proceduar në gjendje të lirë për kundërshtim të policisë. Sipas bluve, mjetet e vjedhura shiteshin më pas në zonën e Fushë-Krujës dhe Mamurrasit.
Njoftimi
“Në kuadër të operacionit “Cloned key”, që u zhvillua para disa javësh, janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas dhe shpallur në kërkim 2 të tjerë, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, vidhnin automjete me atë të çelësave të klonuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe nga informacionet e marra në rrugë operative, mbi vendodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar punën me qëllim kapjen e tij. Në Rrugën e Durrësit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe arrestuar në flagrancë shtetasin K. S., 36 vjeç, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim. Gjatë shoqërimit, ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, së bashku me vëllanë e tij, shtetasin I. S., 41 vjeç, i cili në vijim të veprimeve u procedua në gjendje të lirë, për të njëjtën vepër penale. Shtetasi K. S., në bashkëpunim me 3 shtetasit e arrestuar gjatë operacionit dhe me një shtetas tjetër të shpallur në kërkim, gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, me anë të çelësave të klonuar, kanë vjedhur automjete, në zona të ndryshme të Tiranës, të cilat i kanë shitur më pas në zonën e Fushë Krujës dhe Mamurrasit. Vijon puna për kapjen e shetasit tjetër të shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”