Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca është shprehur shumë e keq ardhur për prishjen e Teatrit Kombëtar.
Ajo e konsideron çështjen e shembjes së Teatrit Kombëtar si një nga pengjet e jetës së saj.
Në një Intervistë për A2 CNN, Ballanca tha se “nuk e mbante vendi” të vepronte kur u shemb godina por për shkak të ligjit nuk arriti të merrte asnjë masë.
“Çështja e Teatrit Kombëtar ka qenë një ndër më të vështirat që ne si institucion kemi pasur, ishte pjesë e identitetit të qytetit. Unë si Avokati i Popullit e kisha të pamundur të dilja me rekomandim për shkeljet ligjore që kishin ndodhur. Ne nuk kemi as të drejtat e trashëgimisë kulturore. Ato janë shkelje ligjor e por jo të të drejtave të njeriut. Ky ishte një ndër problemet më të mëdha, dhe nëse unë në atë rast do të dilja tej kompetencave të mia që do të ishte e drejtë por jo legjitime në atë që mua ligji më lejonte. Dhe mbetet një nga pengjet më të mëdha të mandatit tim se do të doja të kishim një qëndrim të fortë për këtë çështje. Se nuk kemi shtet të bazuar mbi të drejtë e rregull por shtet që anashkalon çdo rregull për shkak të vullnetit politik”-deklaroi Ballanca.
Sipas saj rasti i shembjes së Teatrit Kombëtar ka treguar problemet e mëdha të policisë dhe sistemit tonë që nuk funksionon mbi bazë të ligjit, por të urdhrit dhe bindjeve.
“Raste flagrante të veprimit me dashje të policëve për të zhdukur provat. Ne kemi OPGJ që i drejtonin spraj kameramanëve se nuk donin t’i kapnin duke kryer një veprim të caktuar. Rasti i Teatrit ka treguar problemet e mëdha të policisë dhe sistemit tonë që nuk funksionon mbi bazë të ligjit, por urdhrit dhe bindjeve të gjithë strukturave shtetërore për të mos pasur askush kurajon që ndoshta nuk e bëjmë dot këtë veprim”-tha Avokatja e Popullit.
Ballanca thekson se një nga dështimet më të mëdha të demokracisë në Shqipëri ishte dhe miratimi i një ligji të posaçëm nga parlamenti për të shpëtuar personat e përfshirë në këtë çështje.
“Për Teatrin bëmë ligj të posaçëm, parlamenti doli nga detyra e vet, parlamenti duhet të bëjë ligje për popullsinë jo për çështje individuale. Ajo u bë se shkelte çdo rregull dhe për të shpëtuar personat nga vendimmarrja. Kjo ka qenë një nga dështimet më të mëdha të demokracisë në Shqipëri se tregoi që çdo ligj e rregull ndryshohet dhe anashkalohet vetëm për të realizuar një vullnet të caktuar. Shqipëria mbeti edhe për dy javë të tjera në bllokim total që të realizohej procedura e prishjes së Teatrit”-tha Ballanca.