Vendosni fjalën kyçe....

FBI heton si çipat e prodhuara nga SHBA-ja janë gjetur në tanket ruse – Washington Post


FBI dhe Departamenti Amerikan i Tregtisë kanë nisur një hetim mbi pretendimet se çipat kompjuterikë të prodhuar nga Amerika janë gjetur në pajisjet ushtarake ruse në Ukrainë, raportoi të mërkurën Washington Post.

Agjentët qeveritarë kanë vizituar kompanitë dhe kanë pyetur se si çipat e tyre dhe komponentët e tjerë përfunduan në radarët rusë, dronët, tanket, kontrollin tokësor dhe sistemet e tjera të armëve, i thanë gazetës ‘njerëzit me dijeni me këtë çështje’.

“Qëllimi ynë është që në fakt të përpiqemi ta gjurmojmë atë, deri tek furnizuesi amerikan dhe të kuptojmë se si e gjeti rrugën në atë sistem rus armësh.” – tha një zyrtar i Departamentit të Tregtisë. “Vetëm për shkak se një çip, çipi i një kompanie, gjendet në një sistem armësh, nuk do të thotë se ne kemi hapur një hetim për atë kompani. Ajo që ne kemi bërë, megjithatë, është se kemi hapur një hetim se si çipi i asaj kompanie hyri në atë sistem.” – shpjegoi zyrtari i paidentifikuar.

Pas nisjes së operacionit ushtarak të Moskës në Ukrainë, SHBA dhe shumë nga aleatët e saj ndaluan shitjen e çipave kompjuterikë për firmat ruse të mbrojtjes dhe vendosën kufizime në dërgesat për blerësit e tjerë nga vendi.

Masa shtrëngoi më tej kufijtë që ishin futur në vitin 2014, pas ribashkimit të Krimesë me Rusinë. Përpara konfliktit, çipat bazë mund t’u shiteshin blerësve rusë pa kufizime, ndërsa produktet më të sofistikuara kërkonin që eksportuesit të merrnin një licencë të veçantë nga qeveria amerikane.

Hetimi federal pason raportet e OJQ-ve dhe grupeve të mendimit në SHBA, Britani dhe disa vende të tjera, duke pretenduar se çipa kompjuterikë të prodhimit perëndimor, përfshirë çipa kompjuterikë amerikanë, ishin zbuluar në pajisjet ushtarake ruse në Ukrainë.

Sipas një raporti të publikuar nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara në prill, prodhime nga firma si Intel, Analog Devices, Texas Instruments dhe Onsemi ishin përdorur nga forcat e armatosura të Rusisë dhe vendeve të tjera.