Vendosni fjalën kyçe....

Konflikti në Ukrainë duhet të përfundojë me diplomaci – SHBA


Ndërsa zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë argumentuan se konflikti në Ukrainë duhet të ketë një zgjidhje diplomatike, mediat pranë inteligjencës amerikane raportuan të enjten për shqetësime në rritje për pozicionin e linjës së ashpër të Kievit mes përkeqësimit të situatës në fushën e betejës.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës u zotua të luftojë deri në fitoren përfundimtare.

SHBA do vazhdojë të ndihmojë Ukrainën ‘në masën maksimale të mundshme’, tha të enjten këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan, ‘së pari në fushën e betejës dhe më pas, në fund në tryezën e bisedimeve. Ne mendojmë se kjo duhet të përfundojë me diplomaci’.

Sullivan po fliste në Qendrën për Sigurinë e Re Amerikane (CNAS), një grup lobi me bazë në Uashington, DC pranë Partisë Demokratike.

CNAS financohet nga kompani si Northrop Grumman dhe Raytheon, të cilat do të kenë të ardhura të mëdha nga rimbushja e rezervave amerikane të armëve pas konfliktit. Ajo gjithashtu mori të paktën 500,000 dollarë vitin e kaluar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes për të nxitur interesat e saj.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka sugjeruar se Ukrainës mund t’i duhet të heqë dorë nga disa territore për paqe, Sullivan tha se një vendim i tillë varet tërësisht nga Kievi.

“Ne nuk do t’i bëjmë presion për të bërë lëshime territoriale. Ne mendojmë se kjo është sinqerisht e gabuar.” – i tha ai CNAS.

Komentet e Sullivan erdhën pas një raporti të NBC News, i cili pretendonte se disa zyrtarë amerikanë dhe evropianë ishin ‘gjithnjë e më shumë të shqetësuar se trajektorja e luftës në Ukrainë është e paqëndrueshme dhe po diskutonin në heshtje’ duke i kërkuar presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky që ‘të zbusë linjën e ashpër’ se asnjë territor nuk do t’i jepet kurrë Rusisë.