Vendosni fjalën kyçe....

Një pronar mediash në shënjestër?! Mediat online publikojnë lajmin për dëshminë e Nuredin Dumanit, SPAK nuk e mohon as e pohon


Vrasësi me pagesë Nuredin Dumani ka dëshmuar se grupe kriminale dhe një segment politik në Tiranë kanë dashur të ekzekutojnë një pronar mediash në kryeqytet. Lajmi është shpërndarë nga mediat online ndërkohë që e pyetur nga Ora News, zyra e shtypit e SPAK as e pohoi as e mohoi informacionin në fjalë duke thënë se çështja është në hetim. Përgjigja nuk qartëson nëse janë marrë masa për garantimin e sigurisë së personave të rrezikuar. Ndërkohë prokurorët e çështjes kanë udhëruar median të ndalojë publikimin e dëshmive të nuredin Dumanit.

Mediat online kanë publikuar së fundi detaje lidhur me hetimet e SPAK ndaj Nuredin Dumanit dhe grupeve kriminale me të cilat ai ka bashkëpunuar, duke evidentuar se i penduari ka rrëfyer para hetuesve edhe planin për vrasjen e një pronari mediash në Tiranë.

Sipas artikullit të publikuar në datën 15 qershor 2022, plani kriminal në fjalë del nga disa rrëfime që nuk janë në asnjë fashikull hetimor për shkak të implikimeve në nivele të larta.

Publikimi citon shprehimisht se Nuredin Dumani ka rrëfyer mbi një plan për ekzekutimin e një pronari të fuqishëm mediash, krim i cili nëse do të kryhej do të trondiste kryeqytetin.

Referuar artikullit, për këtë krim janë investuar disa grupe kriminale dhe një segment politik në Tiranë, por plani nuk është finalizuar për shkak se pronari i mediave ruhej rreptësisht, duke mos lënë pothuajse asnjë hapësirë për ta goditur.

Ora News pyeti zyrtarisht zyrën e shtypit të SPAK rreth orës 11.00 të së enjtes me 16 qershor, nëse konfirmon informacionin e publikuar online, nëse kishte hetime për planin e pretenduar nga Dumani për sulm ndaj një pronari mediash në Tiranë dhe nëse ishin marrë masa mbrojtëse për personat e kërcënuar prej këtyre planeve.

Përgjigjia e SPAK, ishte as pohuese as mohuese. Zyra e shtypit tha se “çështja është në hetim dhe nuk japim informacion”.

Përgjigja në fjalë që nuk mohon lajmin e publikuar, nuk jep po ashtu shpjegime nëse është bashkëpunuar me policinë apo struktura të tjera të sigurisë për ruajtjen dhe sigurimin e jetës të personave të përmendur.

Qëndrimi i SPAK në këtë rast duket i ndryshëm nga rastet e tjera kur pas publikimeve mediatike për çështjet që ka në hetim, ka reaguar zyrtarisht duke mbajtur qëndrimin e vet publik.

Në të njëjtën ditë, prokuroria i njoftoi gazetarëve vendimin që ka marrë për ndalimin e publikimit në media të akteve dhe pjesëve të dëshmisë së dhënë nga Nuredin Dumani.

Vendimi i prokurorëve mban datën 14 qershor 2022 edhe pse i është dorëzuar gazetarëve dy ditë më vonë.

Në arsyetimin e urdhërit prokurorët Altin Dumani, Doloresa Musabelliu dhe Behar Dibra theksojnë se SPAK ka firmosur marrëveshje bashkëpunimi me personat në hetim Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj, të cilët kanë dhënë shpjegime për ngjarje shumë të rënda kriminale të ndodhura në vite të ndryshme.

Prokurorët e spak theksojnë se janë duke kryer veprime hetimore në lidhje me çështjen dhe për rrjedhojë është e nevojshme që të ndalohet publikimi i deklarimeve qoftë edhe në formë të pjesshme.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ora News