Vendosni fjalën kyçe....

Projektligji/ Të ardhurat nga biznesi për individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit deri 14 mln lekë në vit do të tatohen 15%, për xhiron mbi 14 mln lekë 23%


Ministria e Financave dhe Ekonomisë publikoi për konsultim publik projektligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Drafti i Financave parashikon që nga 1 janari 2023 të ardhurat nga biznesi për individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit, përfshirë edhe profesionet e lira, do të tatohen 15% për qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë.  https://konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/474

Ndërsa për subjektet me xhiro mbi 14 milionë lekë norma e tatimit do të jetë 23%. Aktualisht tatim fitimi për personat fizikë tregtarë me xhiro mbi 14 milionë lekë është 15%. Ndryshimet njehsojnë normën e taksimit të personave fizikë tregtare (biznes i vogël për shembull) me subjektet e mëdha që taksohen 23% (15% është tatim fitimi + 8% norma e dividentit ).

Para publikimit zyrtar të draftit nga Ministria e Financave dhe ekonomisë është rishikuar 3 herë. Në draftin fillestar tatimi për të ardhurat e të vetëpunësuarve dhe personave fizikë do të ishte 23% i përshkallëzuar siç janë tatimi nga të ardhurat e punësimit. Më pas, ndryshe nga drafti fillestar u përcaktua tatim fiks 15%, për të ardhurat deri në 10 milionë lekë në vit.

Projektligji përcakton se individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit do të tatohen mbi të ardhurat nga biznesi, pasi tu njihen shpenzimet nga 30% deri në 90%, sipas llojit të biznesit.

Nëse qarkullimi i individit tregtar ose të vetëpunësuar nuk i kalon 10 milionë lekë në vit, ai ka të drejtë që nga të ardhurat e biznesit, të zbresë shpenzimet e supozuara në një shumë të vetme si më poshtë, pa mbajtur regjistrime në kontabilitet, si: 60 % të të ardhurave për veprimtaritë prodhuese; 90 % të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me shumicë; 70 % të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me pakicë të mallrave dhe transportit individual; 60 % të të ardhurave për veprimtaritë bare, restorante, disko etj, të kësaj natyre; 50 % të të ardhurave për veprimtaritë e shërbimeve, veprimtarite artizanale dhe atyre zejtare; 30 % të të ardhurave për individët e vetëpunësuar. Zbritja e shpenzimeve fikse e përcaktuar në përqindje sipas llojit të bizneseve nuk do të zbatohet për subjektet me xhiro mbi 10 milionë lekë./D.Azo

Neni 14

Regjimi i veçantë për individët tregtarë dhe të vetëpunësuar

1.Nëse qarkullimi i individit tregtar ose të vetëpunësuar nuk i kalon 10,000,000 Lekë në vit, ai ka të drejtë që nga të ardhurat e biznesit, të zbresë shpenzimet e supozuara në një shumë të vetme si më poshtë, pa mbajtur regjistrime në kontabilitet.

-60 % të të ardhurave për veprimtaritë prodhuese;

-90 % të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me shumicë;

-70 % të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me pakicë të mallrave dhe transportit individual;

-60 % të të ardhurave për veprimtaritë bare, restorante, disko etj, të kësaj natyre;

-50 % të të ardhurave për veprimtaritë e shërbimeve, veprimtarite artizanale dhe atyre zejtare;

-30 % të të ardhurave për individët e vetëpunësuar.

Aktivitetet sipas këtij paragrafi, përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar në Kodin e Veprimtarive Ekonomike.

2.Tatimpaguesi i cili ka zbritur shpenzimet në një shumë të vetme sipas paragrafëve të mësipërm, nuk i lejohet të kërkojë zbritje apo kompensim tjetër përveç kompensimit personal sipas Nenit 22 “Zbritjet nga Baza Tatimore” të këtij ligji.

Neni 24

Norma tatimore

1.Të ardhurat bruto nga punësimi tatohen me normat e mëposhtme:

Baza tatimore vjetore Norma tatimor

0 – 2,040,000                          13%

Mbi 2,040,000                         23%

2.Të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi për individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit tatohen me normat e mëposhtme:

Baza tatimore vjetore Norma tatimore

0 – 14,000,000            15%

Mbi 14,000,000           23%

3.Të ardhurat nga investimi tatohen me normat e mëposhtme:

a.Të ardhurat nga dividentët 8%.

b.Çdo zë tjetër i të ardhurave nga investimi 15%.

4.Përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë ligj, asnjë kosto nuk zbritet kundrejt të ardhurave nga investimi.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor