Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në Panairin e Automotivit ditën e sotme nga ku ka thënë që në një të ardhme ëndërron që të zhvillohet gara e Formula 1.
Rama tha se po bëhet gati pista për të sjellë garat automobilistë në Shqipëri dhe më vonë do shkohet deri te Formula 1.
“Është një panair i veçantë, i pari i këtij lloji në vendin tonë ku ekspozohen gjëra shumë tërheqëse. Gjithashtu gjen hapësirë një industri e cila po rritet dhe ne besojmë duam ta shtyjmë sa më shumë në të ardhmen e afërt në mënyrë që të krijojmë vende pune.
Dua të ftoj të vijnë ta vizitojnë këtë hapësirë ku ka shumë mundësi për të kënaqur fëmijët, të gjithë fëmijët e të gjitha moshave dhe për të kaluar disa orë krejt ndryshe në një Tiranë që është gjithmonë e më e pasur me aktivitete dhe ky ka profil më të veçantë. Ndërsa do të vijojmë punën për autoparkun e Elbasanit, një sipërfaqe më të madhe se ajo ku zhvillohet panairi dhe shpresojmë që ëndrra për të parë një garë të Formula 1, natyrisht jo në të ardhmen e afërt, por në një të ardhme të arritshme na frymëzon dhe na jep besim që të shkojmë përpara.
Askujt nuk ia kishte prerë mendja se do të kishim një finale europiane në futboll dhe e patëm. Nuk kemi pse të trembemi nga një ëndërr tjetër si kjo e sjelljes së garave automobilistike në Shqipëri deri te Formula 1 në një postë që do të ketë të gjitha karakteristikat sepse është bërë në bashkëpunim të ngushtë me FIA, federata e cila mbulon Formula 1”, tha Rama.