Vendosni fjalën kyçe....

Rusia do eksportojë grurë vetëm në ‘vendet mike’


Ministri rus për Bujqësinë Dmitry Patrushev tha të enjten se korrja e grurit në vend mund të arrijë në 130 milionë tonë këtë vit, e cila do të ishte e mjaftueshme për të mbuluar nevojat e brendshme dhe për të siguruar potencialin e eksportit.

Duke folur në margjinat e Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut (SPIEF), ai vuri në dukje sfidat e shumta duke përfshirë zinxhirët e prishur të furnizimit dhe vështirësitë me llogaritjet financiare.

Patrushev tha se Rusia duhet t’i kapërcejë këto pengesa në mënyrë që të sigurojë ushqim për vendet që kanë më shumë nevojë për të.

“Produktet tona bujqësore do jenë në tregjet e huaja, por vetëm në ato vende që janë miqësore me ne, që nuk krijojnë pengesa dhe vështirësi për ne.” – u tha ai gazetarëve.

Rusia pret një korrje drithërash këtë vit, duke përfshirë një korrje rekord gruri, tha presidenti Vladimir Putin muajin e kaluar. Ai shtoi se një sërë vendesh po përballen me kërcënimin e urisë, duke theksuar se fajin për këtë situatë e kanë tërësisht ‘elitat perëndimore’.

Kriza e grurit po ndihet në të gjithë globin pasi çmimet e grurit janë rritur në nivele rekord gjatë dy muajve të fundit.

Tregut global të ushqimit, tashmë i prekur nga moti dhe pandemia Covid, iu dha një tjetër goditje për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë dhe sanksioneve perëndimore ndaj Moskës. Kjo ka ngjallur frikë nga pasiguria globale ushqimore dhe uria.