Struktura e ekonomisë së Tiranës ka pësuar ndryshime në pesë vitet e fundit duke reflektuar një ulje të aktivitetit financiar (kompanitë e sigurimi, bankat etj), në një kohë që është rritur ndjeshëm pesha e administratës publike.
Përqendrimi i administratës publike në Tiranë, me ministritë dhe entet kryesore publike është një kontribuues i madh në ekonominë e qytetit. Edhe pse qeveria Rama u angazhua të reduktonte administratën publike me uljen numrit të ministrive në raport me 10 vite më parë, çka do të sillte edhe rënie te peshës që ka administrata në ekonomi, e kundërta ka ndodhur.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2020, aktivitet e “Administratës Publike” zunë 16.9% të ekonomisë totale të Tiranës nga 15.4 % që zinte në vitin 2015.
Pesha e administratës në ekonominë e Tiranës ishte në ulje nga viti 2015 në vitin 2018, por pas 2019 pësoi një rritje të shpejtë. Pesha e saj në ekonominë e Tiranës do të rritet më tej gjatë 2021 për shkak se punësimi në administratë u zgjerua ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Shteti ishte kontribuuesi kryesor në vendet e reja të punës në vitet e fundit, sipas INSTAT.
Në të kundërt pesha e aktiviteteve financiare gati është përgjysmuar në këto 5 vite. Në vitin 2020 aktivitet financiare zunë 2.4 % të PBB-së së kryeqytetit nga 4.2% që zinin në vitin 2015. Aktivitet financiare në vend janë të përqendruara në Tiranë, por shumica e tyre po tkurren sidomos në numër punonjësish dhe degësh të reja.
Tre degët më peshën më të madhe në ekonominë e Tiranës janë tregtia dhe shërbimet që kontribuojnë me 22.9% të totalit me një rritje në krahasim 2015, ku kontributi i kësaj degë ishte 21.6%.
Sektori i dytë më i madh është administrata publike dhe i treti më i madhe është sektori i ndërtimit. Megjithëse dy vitet e fundit sektori është përfshirë në zhvillime të vrullshme për shkak se lejet e reja për ndërtim po thyejnë rekordet, pesha e sektorit në ekonominë e Tiranës ishte 12.9 %, pothuajse e njëjtë me vitin 2015. Nisur nga lejet e dhëna gjatë vitit 2021 dhe 2022 pesha e këtij sektori do të vijë në rritje në vitin 2021.
Sektori i industrisë zuri 10.8% të ekonomisë së kryeqytetit me 2020 me një rënie gati 1% në raport me 2015. Industria përfaqësohet kryesisht nga industria fason.
Ekonomia e Tiranës kontribuon me gati gjysmë e ndryshimit vjetor të ekonomisë në rang vendi. Vitin e kaluar ekonomia shënoi rënie me 3.5%, ndërsa ekonomia e Tiranës kontribuoi në këtë rënie me 1,38 pikë përqindje.
Në vitin 2019 ekonomia e Tiranës u rrit me 2.1%, ndërsa ekonomia e Tiranës kontribuo me 1.15 pikë përqindje.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al