Bizneset e huaja rritën transferimin e fitimeve në tremujorin e parë të vitit.
Sipas Bilancit të Pagesave të Bankës së Shqipërisë, flukset dalëse në të ardhurat nga investimet kishin vlerën e 168 milionë eurove, në rritje me 19.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo është vlera më e lartë e fitimeve të transferuara jashtë për këtë periudhë të vitit, të paktën për 13 vitet e fundit dhe me shumë mundësi vlera më e lartë historike.
Rritja e fitimeve të transferuara jashtë vendit është në tendencë të dukshme në rritje gjatë viteve të fundit. Katër vlerat më të larta historike aanë regjistruar në katër vitet e fundit.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar flukset dalëse në zërin e të ardhurave nga investimet për vitin e kaluar kishin vlerën e 589 milionë eurove, në rritje me 8.9% krahasuar me vitin 2020.
Vlera relativisht e lartë e fitimeve të transferuara tregon se efekti i krizës në këtë drejtim nuk ka qenë shumë i madh, ndoshta edhe për shkak të optimizmit se rimëkëmbja nga pandemia do të ishte e shpejtë.
Nga ana tjetër, rritja e investimeve të huaja direkte, sidomos pas vitit 2014, përbën në vetvete një premisë që dalja e fitimeve jashtë vendit të rritet, me qëllim marrjen mbrapsht të investimeve të kryera. Investimet e huaja u konfirmuan në nivele të larta edhe për tremujorin e parë të këtij viti, me një vlerë totale prej 273 milionë Eurosh, në rritje për të dytin vit radhazi. Ndikimin kryesor e ka dhënë rritja e fitimeve të rriinvestuara të kompanive ekzistuese.
Megjithatë, fitimet e transferuara jashtë vendit nuk përfshijnë vetëm të ardhurat nga biznesi, por edhe ato nga investimet e portofolit, ndaj një ndikim ka pasur është edhe rritja e borxhit të jashtëm në vitet e fundit. Pagesat e interesave për huatë arritën në 26 milionë Euro, 30% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Ndikimin kryesor këtu e kanë luajtur huatë e marra nga qeveria shqiptare tek subjektet jorezidente. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, për tremujorin I 2022, qeveria shqiptare shpenzoi 2.1 miliardë Lekë ose rreth 17.5 milionë Euro për interesat e borxhit të jashtëm. Kjo shumë është afërsisht sa 10.5% e flukseve dalëse në zërin e të ardhurave nga investimet.
Në kahun e kundërt, flukset hyrëse të të ardhurave nga investimet për tremujorin I ranë në 12 milionë euro, 45% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bilanci neto i të ardhurave nga investimet ishte negativ në vlerën e 156 milionë eurove. Deficiti në këtë zë u rrit me 30% krahasuar me një vit më parë. Si një vend pritës i investimeve të huaja direkte, Shqipëria ka pasur historikisht një bilanc negativ në të ardhurat nga investimet.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor