Vendosni fjalën kyçe....

Bledian Koka: Djali i Bledi Çuçit në fakt është një viktimë e sistemit të kalbur shqiptar


Gazetari Bledian Koka ka reaguar lidhur me akuzat e bëra dje nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe sot nga deputeti Flamur Noka, në drejtim në djalit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Bledi Çuçit.

Koka e quan Endi Çuçin viktimë të sistemit shqiptar të shëndetësisë. Sipas tij, djali i ministrit i rezulton atij vetëm si “një korrier i prokurorimit të medikameteve të veçanta” për familjarët e tij dhe për ndonjë të afërm, si pasojë e mungesës së medikamenteve cilësore në tregun shqiptar, por aq të nevojshme për pacientët.

“Djali i Çuçit si viktimë e ‘Shëndetësisë Falas’.

Afera e trafikut të ilaçeve në të cilën rezulton të jetë i përfshirë djali i Ministrit të Brendshëm është në fakt treguesi i vërtetë i ‘Shëndetësisë Falas’ të Edi Ramës. Djali në fjalë më rezulton thjeshtë e vetëm si një korrier i prokurorimit të medikameteve të veçanta për familjarët e tij dhe për ndonjë të afërm si pasojë e mungesës së medikamenteve cilësore në tregun shqiptar.

Të hetuar në ‘super’ operacionin italian janë edhe pacientë shqiptarë që vuajnë nga kancere të ndryshëm të cilët Shqipëria nuk u ofron asgjë. Në këmbim në Itali duke siguruar një kartë shëndetësore ‘nën dorë’ ata mund të sigurojnë mjekime falas nga shteti italian që për xhepin e tyre janë të papërballueshme. Janë me mijëra shqiptarë që gjejnë ‘xhepa’ të tillë në sistemin super social të shëndetësisë në Itali ndërsa në Shqipëri nuk ofrohet asgjë përveçse agonisë pa shërim. Drejtësia italiane është në të drejtën e vet që të luftojë abuzimet në sistemin e vet, por e vërteta e parë me sytë e Shqipërisë është drama që vuan pacienti shqiptar me shëndetësinë e Edit dhe Ogit. Shqipëria nuk i ofron asgjë as djalit të Ministrit të Brendshëm, kjo është e gjithë e vërteta e hidhur e ‘trafikut’ të ilaçeve.”- shkruan Koka.

Gazetari shton se nuk po përpiqet t’i dalë në mbrojtje djalit të ministrit, por më shumë të tregojë gjendjen ku ka arritur shëndetësia në vend.

“Ky status nuk ka për qëllim të justifikojë askënd, e aq më pak djemtë e martesave të para të Rilindasve. Statusi tregon greminën ku ka rënë shteti i këtyre që ‘dinë të bëjnë shtet’!’

p.s…Prandaj nuk është çudi që me këto ritme, djali i Edi Ramës të kapet pas disa kohësh duke kontrabanduar naftë me bidona nga Mali i Zi, siç kanë shkur punët në Rilindje!”- shkruan Koka.

Ditën e djeshme ish-kryeministri Sali Berisha publikoi në Facebook disa pasazhe nga dosja hetimore italiane ku përmendej dhe djali biologjik i Ministrit Bledi Çuçi si person i proceduar në shtetin italian.

Por dje Hashtag.al pasi ka siguruar të plotë dosjen hetimore dhe operative të autoriteteve italiane, ka zbuluar se prokurorët italianë në fund të procesit të interceptimeve dhe hetimit shkruajnë se shtetasi Endi Çuçi përjashtohet nga çdo lloj barre pasi nuk rezulton i implikuar nga asnjë prej veprave që dyshohej gjatë interceptimeve (lexo këtu). Një gjë që nuk është përmendur nga Berisha dje e as sot nga Noka.

Ish-bashkëshortja e ministrit Çuçi, Zhaklina Peto, reagoi mbrëmë pas denoncimit për të birin. Peto shkruante se as ajo dhe as djali i saj nuk kanë probleme me drejtësinë italiane pavarësisht se përmenden në hetimin e drejtësisë italiane. Ajo përmend edhe paragrafin e hetimit ku thuhet se Endi Çuçi nuk lidhet me asnjë nga akuzat dhe kërkon që të mos hidhet baltë mbi të birin.