Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Elvis Bakallin dhe Dorian Kalon, të cilët u arrestuan në depon e armëve në Yzberisht.
Ervis Bakalli dhe Dorian Kalo kanë dalë këtë të shtunë përpara gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë, pasi në banesën e Bakallit u zbulua një depo e modifikimit të armëve.
Sipas “Balkanweb”, seanca gjyqësore është shoqëruar me debate, pasi prokurorja ka thënë në sallën e gjyqit se “Në telefonin e Dorian Kalos janë gjetur skica e banesës, ku bëhej modifikimi i armëve. Banesën e kishte në përdorim Ervis Bakalli”.
Por këto akuza janë mohuar nga Dorian Kalo dhe avokati i tij ka insistuar që Prokuroria t’i vërë në dispozicion këto skica, sepse sipas tij, nuk ekzistojnë.
Por prokurorja është shprehur se telefonat e Kalos dhe Bakallit janë dërguar për ekspertim. Madje Kalo ka mohuar të ketë lidhje me depon e armëve.
Dy ditë më parë, drejtori i Policisë së Tiranës Lorenc Panganika tha se ata janë kapur duke punuar për modifikimin e armëve në një banesë në pronësi të Elvis Bakallit në zonën e Mëzezit.
Sipas policisë, të rinjtë siguronin armë nga persona me të shkuar kriminale dhe dyshohet se më pas ato shiteshin te grupet kriminale me qëllim përdorimin e tyre në krimet kundër personit.
Bakalli rezulton që ka pasur në përdorim shtëpinë, ku u gjetën armët.