Vendosni fjalën kyçe....

Kina përuron aeroplanmbajtësen e tretë, e dyta e ndërtuar tre vitet e fundit


Kina futi në shërbim aeroplanmbajtësen e saj të tretë në kantierin detar Jiangnan në Shangai të premten në mëngjes.

Anija që ka një kapacitet me ngarkesë të plotë prej mbi 80,000 tonë është aeroplanmbajtësja e parë kineze e pajisur me katapulta elektromagnetike dhe pajisje bllokuese si ato që përdoren në aeroplanmbajtëset amerikane për të nisur dhe ulur aeroplanët.

Teknologjitë e përdorura në mjetin e përparuar detar, i dyti i projektuar dhe ndërtuar plotësisht në Kinë, e lejojnë atë të transportojë më shumë avionë, si dhe të rrisë normat e fluturimeve dhe të lejojë avionët të ngrihen duke transportuar më shumë karburant dhe municione, raportojnë mediat kineze.

Sipas Global Times, katapultat elektromagnetike të montuara në anije mund të ndryshojnë fuqinë e tyre për t’iu përshtatur nevojave të llojeve të ndryshme të avionëve.

Anija mund të mbajë avionë luftarakë të rëndë J-15 të Kinës, si dhe një brez të ri avionësh luftarakë që janë në zhvillim e sipër, që pritet të quhet J-35, raportoi Global Times.

‘Fujian’ gjithashtu duket të jetë një hap përpara në krahasim me dy aeroplanmbajtëset e tjera kineze. E para, Liaoning, ishte fillimisht një anije sovjetike e papërfunduar e blerë nga Ukraina në 1998 dhe përfundimisht e futur në shërbim në vitin 2012 pas disa përmirësimeve. Njohuritë e marra nga puna në të u përdorën për të ndërtuar aeroplanmbajtësen e dytë, dhe transportuesin e parë të prodhuar në vend, Shandong që u vu në punë në 2019.

Të dy kanë një kapacitet prej rreth 60,000 tonësh dhe përdorin sistemin e lëshimit të avionëve të ‘kërcimit me ski’ në vend të katapultave elektromagnetike. Fujian, megjithatë, është ende një nivel prapa aeroplanmbajtëses më të përparuar amerikane, USS Gerald R. Ford, e cila ka një kapacitet prej rreth 100,000 tonësh dhe fuqizohet nga një reaktor bërthamor.