Vendosni fjalën kyçe....

Kokaina me logot e “Gokut” në Durrës, lihen në burg administratori i firmës dhe agjenti doganor


Gjykata e Durrësit ka dhënë sot masën e sigurisë për dy të arrestuarit e kokainës së kapur dy ditë më parë në Portin e Durrësit, brenda kontejnerit me mish pule të ardhur nga Brazili.

Gjykata ka lënë në burg pa afat administratorin nga Kosoa të kompanisë që porositi mishin e pulës, Arben Ferizi.

Ndërsa për Egert Vargun, gjykata ka caktuar masën “arrest me burg me afat” 18 ditë.

Vargu ishte agjenti doganor në Portin e Durrësit që ishte kontraktuar nga kompania, që kishte porositur mishin për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut.

Arben Ferizi dhe Egert Vargu i kanë qëndruar deklaratave te tyre të mëhershme se nuk kanë lidhje me drogën.

“Kompania ka porositur mish pule dhe të gjithë veprimet i kryejnë online. Porositet online dhe nuk kanë nga ta dinë se çfarë ka në kontenier. Kompania ka vite që merret me prodhimin e salçiçeve dhe është e suksesshme. Nuk ka nevojë të implikohet në trafikimin e drogës.”– tha Ferizi sipas Shqiptarja.com.

Tre ditë më parë në Port, u sekuestruan 45.5 kg kokainë e ardhur nga Brazili përmes një kontejneri me mish pule. Droga ishte e mbështjellë me figurën e filmit të animuar “Goku”.