Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi nisi sot nga Korça një tur takimesh që do të vijojë në të gjithë vendin me strukturat e Emergjencave Civile, kryetarët dhe prefektët.
Ai ishte i shoqëruar edhe nga Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako.
Gjatë fjalës së tij, Peleshi u shpreh se bashkitë nuk mund të bëjnë sikur nuk i shohin zjarret dhe t’i bien telefonit për të kërkuar helikopter pasi situata ka marrë përmasa më të rënda.
“Ju kërkoj së pari qytetarisht mirëkuptim dhe bashkëpunim, së dyti ligjërisht. Nuk mund të vazhdojë më kështu që bie një zjarr diku, bashkia bën sikur nuk e shikon, pret sa zjarri të marrë një përmasë të qenësishme dhe pastaj i bie telefonit të marrë helikopterin. Kështu ka ndodhur deri tani.
Ne do bëjmë tonën, edhe për rritjen e gatishmërisë së helikopterëve, kemi lajme shumë të mira edhe nga komisioneri i emergjencave civile, të cilit i dhamë aplikimin zyrtar për t’u bërë anëtarë të Mekanizmit Evropian.
Kemi marrë sigurinë që do të na përgjigjen, sepse ndonjëherë nuk mjaftojnë as 2 helikopterë, as 5 as flota ndonjëherë kur vatrat e zjarrit janë të shpërndara në të gjithë Shqipërinë siç ishin vitin e kaluar dhe siç parashikojmë të jenë edhe këtë vit.”– u shpreh Peleshi.
Peleshi propozoi që puna duhet të nisë me edukimin e komuniteteve që të reagojnë në raste të tilla, punë kjo që sipas tij duhet të filojë që nga kryepleqtë e fshatrave.
Qëllimi i këtyre takimeve është sensibilizimi i njësive vendore për identifikimin e hershëm dhe eliminimin e vatrave potenciale të zjarreve për të mos lejuar degradimin e situatave veçanërisht gjatë sezonit veror.