Vendosni fjalën kyçe....

Putini: Rendi i mëparshëm botëror nuk do të kthehet


Ata që besojnë se gjërat do të kthehen siç ishin para shpërthimit të konfliktit në Ukrainë e kanë gabim, kështu ka thënë presidenti rus Vladimir Putin.

“Është gabim të sugjerosh se kohët e ndryshimeve të trazuara mund të përfundojnë dhe se gjërat do të kthehen në normalitet, se gjithçka do të jetë ashtu siç ishte. Nuk do jetë.”- këmbënguli Putin gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg të premten, citon RT.

Ai shtoi se ndryshimet që po kalon bota në këtë moment janë thelbësore, radikale dhe të pakthyeshme.

Megjithatë, sipas Putinit elitat në pushtet të disa vendeve perëndimore refuzojnë ta vënë re këtë ndryshim të dukshëm dhe zgjedhin të “kapen pas hijeve të së kaluarës”.

“Për shembull, ata besojnë se dominimi i Perëndimit në politikën dhe ekonominë globale është një vlerë konstante dhe e përjetshme.”– tha Putin. Por “asgjë nuk është e përjetshme“, u kujtoi ai të gjithëve.

Presidenti rus tha se që nga shpallja e fitores në Luftën e Ftohtë në fillim të viteve 1990, SHBA-ja “e ka deklaruar veten si lajmëtar i Zotit në Tokë, i cili nuk ka detyrime, por vetëm interesa, dhe këto interesa shpallen të shenjta.”

Megjithatë, ideja e një bote unipolare është me të meta në thelbin e saj sipas liderit rus, pasi normat e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk mund të interpretohen gjithmonë në favor të një kombi të vetëm, “edhe nëse ai është i fortë”.

Duket sikur Uashingtoni sipas Putinit refuzon të shohë qendrat e reja të pushtetit që janë shfaqur në dekadat e fundit dhe të cilat kanë çdo të drejtë për të “mbrojtur interesat e tyre dhe për të siguruar sovranitetin e tyre kombëtar”.