Vendosni fjalën kyçe....

Trump paralajmëron: Po shkojmë drejt Luftës së Tretë Botërore


Ndihma e madhe ushtarake e dhënë Kievit nga Uashingtoni mund të rezultojë në shndërrimin e konfliktit në Ukrainë në Luftën e Tretë Botërore. Kështu ka paralajmëruar ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

“Ne kemi një luftë në Ukrainë… dhe ndoshta do të çojë në Luftën e Tretë Botërore për shkak të mënyrës se si po e trajtojmë atë.”- paralajmëroi Trump në një fjalim në Nashville të premten.

“Ne sapo dhamë 40 miliardë dollarë, përveç 16 miliardë dollarëve të tjerë. Pra, ne kemi dhënë 56 miliardë dollarë.”- tha ai në lidhje me paketat e ndihmës që administrata Biden ka miratuar tashmë për Ukrainën në mes të konfliktit me Rusinë.

“Por kur shikoni Evropën dhe Gjermaninë, Francën dhe të gjitha këto vende të tjera… ata kanë dhënë një pjesë të vogël, një pjesë të vogël të asaj që ne po japim. Ne po japim 56 miliardë dollarë dhe ata po japin disa miliardë dollarë. Dhe këto vende janë ato që preken shumë më tepër.”- tha ai, citon RT.

Trump fajësoi edhe një herë për konfliktin Presidentin Joe Biden, i cili e zëvendësoi atë në Shtëpinë e Bardhë, duke këmbëngulur se “nëse do të isha president, kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë”.

“Dhe unë arrita ta njoh shumë mirë Putinin dhe folëm për këtë… ai e dinte se pasojat do të ishin të jashtëzakonshme. Ai e kuptoi këtë dhe nuk do ta kishte bërë kurrë.”– këmbënguli ish-presidenti.

“Nëse zgjedhjet nuk do të manipuloheshin dhe vidheshin, ne nuk do të kishim asnjë problem me sulmin e egër të Ukrainës.”– shton ai.

Trump gjithashtu ngacmoi edhe një herë mbështetësit për një kandidim të mundshëm të tij për president në vitin 2024.

“A do të donte dikush që unë të kandidoj për president?“- pyeti Trump, duke marrë brohoritje të forta nga audienca.