Kreu i PD-së Berisha e ka quajtur antishqiptar e antieuropian samitin e Ohrit ku sipas tij presidenti serb Vuçiç mblodhi me porosi të presidentit rus Putin kryeministrat e Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.
Ai shkruan se Rusia kërkon të çojë përpara nismën e Ballkanit të Hapur kundër Procesit të Berlinit.
Berisha akuzon kryeministrin Rama se i është dhënë detyrë gjatë samitit që të bashkëpunojë me albanofobët e serbofilët e Kosovës për të rrëzuar qeverinë Kurti.
Në fund ai paralajmëron Ramën që të heqë dorë si vasal i Vuçiçit nga skenarët e Beogradit kundër qeverisë së Kosovës, ndryshe do marrë ndëshkimin e merituar nga mbarë kombi.
“Rama në Kosovë si misionar i Beogradit!
Të dashur miq, pas samitit antishqiptar dhe antieuropian të Ohrit ku presidenti i sebomadhisë Aleksandër Vuçiç me urdhër të Putinit mblodhi vasalët e tij të Tiranës dhe Shkupit për avancimin e Ballkanit serbo-rus në kundërvënie të hapur të procesit të Berlinit duket se Edi Rama ka marrë detyra të reja nga Beogradi. Konkretisht duket se Edi Ramës i është ngarkuar detyra në një akt të ri antishqiptar të punojë ngushtë me albanofobë e serbofilë në Kosovë për rrëzimin e qeverisë Kurti, qeveri e cila me qëndrimet konsguente kundër projektit ruso -serb të Ballkanit të Hapur mbrojti dhe po mbron me konseguencë interesat e kombit shqiptar por edhe të Bashkimit Europian dhe NATO-s në rajon. Me këtë rast duke dënuar me ashpërsinë më të madhe misionin e ri antishqiptar të Edi Ramës të ngarkuar nga Beogradi, paralajmëroj vasalin e mjerë të serbomadhit Vuçiç të heqi dorë nga skenarët e Beogradit kundër qeverisë së Kosovës pasi në të kundërt do marri ndëshkimin e merituar nga mbarë kombi shqiptar.” – shkruan Berisha.